Zëvëndëskryeministri, Arben Fetai, sot ka vizituar Prekazin, nga ku ka shkruar që ka qenë nder i veçantë përulja në atë vend shenjtë.
“Sot patëm nderin të vizitojmë Kullën e familjes Jashari në Prekaz dhe të takojmë bacën e shqiptarëve, Rifat Jasharin. Me zemërgjerësinë dhe dashurinë e tij të pashtershme, ai vazhdon të jetë frymëzim për brezat që e duan lirinë dhe mëvetësinë.
Komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij janë mishërim i përpjekjes sonë shekullore për liri. Guximi i tyre dhe gatishmëria për sakrificë e bënë këtë familje simbolin e qëndresës sonë kombëtare. Liria dhe shteti i Kosovës e kanë themelin pikërisht këtu, në Prekazin legjendar, në Drenicën heroike.
Përulemi me nderim para sakrificës së familjes Jashari dhe të të gjithë atyre që ranë për Kosovën. Lavdi e përjetshme familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë!”, ka shkruar Fetai.