Zëvëndëskryeministri, Arben Fetai, në intervistë për Alsat foli për çështjen e gjuhës shqipe. Ku Fetai në mënyrë decide deklaroi se statusi i gjuhës shqipe dihet, në Kushtetutë figuron si 20%, dhe kemi një Ligj që ka avancuar gjuhën shqipe por që nuk po zbatohet në praktikë në tërësi.
“Gjuha shqipe është pjesë e Kushtetutës, por fatkeqësisht edhe pse është derdhur gjak gjuha shqipe ende përkufizohet si përqindje. Koalicioni VLEN, bënë përpjekje për ta hequr 20% dhe për ta futur gjuhën shqipe në Kushtetutë. Problemi me gjuhën shqipe është definicioni me 20% dhe mungesa e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, pra ku kemi qindra raste të shkeljes flagrante të këtij Ligji”, tha zëvendëskryeministri Arben Fetai.
Ai shtoi tutje se zyrtarizimi i plotë i gjuhës do të ndodhë atëherë kur do të heqim përkufizimin ofendues nga Kushtetuta.
“Zyrtarizimi i gjuhës shqipe fillon te Kushtetuta. VMRO dhe Mickoski e kanë thënë se nuk janë kundër heqjes së 20% në Kushtetutë dhe këtu fillon zgjidhja e problematikës”, përfundoi Fetai.