Vazhdimi i rrugës europiane dhe hapja e negociatave me BE-në janë top prioritetet e kësaj qeverie. Më pas janë decentralizimi, zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër korrupsuionit. Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai në paraqitjen e tij në emisionin ZOOM në TVM2. Ai madje foli edhe për ndryshimet kushtetuese ku tha se po punojnë vazhdimisht për të tejkaluar edhe pengesën e fundit drejt hapjes së negociatave me BE-në.
“Kur jemi te ndryshimet kushtetuese, kemi parasysh se jemi qeveri e je tanimë gjashtë muaj. Ndryshimet kushtetuese kanë qenë prioritet edhe i qeverisjes paraprake, ata për çdo vit kanë festuar hapjen e negociatave, i mbani mend fotografitë e Bujar Osmanit nga aeroplani i qeverisë në vitin 2017 apo 2018 kur festonin hapjen e negociatave, të gjithë e kanë të qartë, ashtu siç e kemi thënë ne nga opozita atëherë, ky ka qenë një mashtrim i madh negociatat me BE-në nuk janë hapur. Në lidhje me ndryshimet kushtetuese ne e dimë kemi kornizë negociuese me BE-në e cila është miratuar nga qeverisja paraprake përfshirë edhe me votat e opozitës, ne atëherë e kemi votuar propozimin francez dhe e dimë se çfarë detyrash kemi para nesh. Megjithatë, duhet të kuptohen dy gjëra, e para është se në Bullgari vazhdon jostabiliteti politik. Kemi patur atje shtatë palë zgjedhje me radhë të cilat nuk kanë zgjedhë një qeveri me mandat politik me të cilën mund të dialogojmë për të tejkaluar këtë pengesë të fundit për hapjen e negociatave. Dhe te çështja e dytë duhet ta kemi parasysh edhe një gjë, ajo është që me këto numra që kemi në Parlament, ndryshimet kushtetuese pa deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk mund të bëhen. Deklaratat e VMRO-DPMNE-së i keni dëgjuar edhe gjatë fushatës, e dëgjoni edhe kryeministrin dhe qeverinë tonë në lidhje me, si të them, garanca apo siguri që mund të marrim si qeveri e re, që me futjen e bullgarëve në kushtetutë që nga Bullgaria të mos kemi veto të re. Por duhet patur parasysh që në BE kemi patur edhe zgjedhje dhe kjo ka marrë kohë, zgjedhje në SHBA dhe rrethanat janë këto që janë. Unë besoj dhe uroj që shpejt do të gjendet një zgjidhje për të tejkaluar këtë pengesë të fundit dhe për ti filluar negocitat me BE-në”, ka theksuar Fetai.