Shkalla e fertilitetit në Maqedoni është 1,35 fëmijë të lindur gjallë për grua, pothuajse në të njëjtin nivel me mesataren e Bashkimit Evropian, e cila në vitin 2024 arriti nivelin rekord të ulët prej 1,34 fëmijësh për grua. Këtë e tregojnë të dhënat e Eurostatit për lëvizjet demografike.
Shkalla e fertilitetit në Bashkimin Evropian në vitin 2024 ishte më e ulëta që nga fillimi i publikimit të kësaj serie statistikore në vitin 2001. Gjatë 20 viteve të fundit, ajo ka mbetur vazhdimisht nën nivelin prej 2,10 fëmijësh të lindur gjallë për grua, që konsiderohet i nevojshëm për zëvendësimin natyror të popullsisë. Gjatë kësaj periudhe, shkalla ka lëvizur nga 1,34 deri në 1,57 fëmijë për grua.
Gjendje e ngjashme paraqitet edhe në Maqedoni, megjithëse ka dallime mes rajoneve. Mbi mesataren kombëtare prej 1,35 fëmijësh për grua janë Rajoni i Shkupit, me shkallë prej 1,73, Rajoni Verilindor me 1,40 dhe Rajoni i Pellagonisë me 1,36.
Nën mesataren kombëtare janë Rajoni i Pollogut dhe ai Jugperëndimor, me nga 1,27 fëmijë të lindur gjallë për grua, Rajoni i Vardarit me 1,31, Rajoni Juglindor me 1,30 dhe Rajoni Lindor, ku shkalla është më e ulëta, me 1,16 fëmijë për grua.
Të dhënat rajonale për Bashkimin Evropian tregojnë se, nga gjithsej 1.165 rajone për të cilat ka të dhëna të disponueshme, në 439 rajone, përkatësisht 37,7 për qind, shkalla e fertilitetit ishte nën mesataren e BE-së. Në 714 rajone, ose 61,3 për qind, ajo ishte mbi mesataren, ndërsa në 12 rajone ishte e barabartë me mesataren e Bashkimit Evropian.
Shkallë prej të paktën 1,75 fëmijësh të lindur gjallë për grua është regjistruar në 14 rajone të Bullgarisë dhe Francës, gjashtë rajone të Gjermanisë, tri të Sllovenisë dhe nga dy rajone të Hungarisë, Holandës dhe Rumanisë. Një shkallë e tillë është regjistruar edhe në nga një rajon të Irlandës, Greqisë, Kroacisë dhe Sllovakisë.
Shkallët më të ulëta të fertilitetit në BE janë regjistruar në Spanjë, veçanërisht në pjesën veriperëndimore dhe në disa rajone ishullore, si dhe në pjesën më të madhe të Italisë, sidomos në Sardenjë.
Shkallë prej më pak se një fëmije të lindur gjallë për grua është regjistruar në 16 rajone të Spanjës, shtatë të Polonisë, pesë të Italisë, tri të Greqisë dhe nga dy rajone të Gjermanisë dhe Lituanisë.



