Po mbushet java që kur ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se kanë konfirmuar manipulime me fatura të rrejshme gjatë importit të peletëve në vend. I bëri thirrje Drejtorisë së Doganave dhe asaj të të Ardhurave Publike që të veprojnë, por asnjëri prej dy institucioneve nuk thotë asgjë konkrete.
“Drejtoria e Doganave, duke vepruar sipas kompetencave të saj, në 3 muajt e fundit, ka dërguar për kontroll fatura të cilat kanë të bëjnë me importin e peletëve deri tek administratat e huaj doganore. Procedura për kontrollin e tyre është ende në vazhdim, dhe sipas bashkëpunimit të paraparë administrativ zgjat disa muaj.”- thanë nga Drejtoria e Doganave.
“Nëse Ministria e Ekonomisë ka informacion për tatimpaguesit që kanë parregullsi për sa i përket punës doganore, DAP do të bëjë kontrollin e drejtpërdrejt ndaj tyre. Deri më sot as Ministria e Ekonomisë dhe as Drejtoria Doganore nuk kanë paraqitur kërkesa për veprim të DAP. Për sa i përket pjesës së deklaratës për faturat e rreme, theksojmë se zbulimi dhe dëshmimi i veprave penale kërkon zbatimin e masave hetimore të cilat i ka Policia Financiare.”- Drejtoria e të Ardhurave Publike.
“NP “Pyjet Nacionale” nuk e ka në kompetencë peletin, thjesht nuk është produkt, atë mund ta verifikoni apo ua lëshojmë shërbimet edhe në e-mailin tuaj zyrtar, nuk është produkt i “Pyjeve Nacionale”, domethënë në çmimoren që ne e kemi në asortimentet e drurit dhe produktet që i kemi ne si Ndërmarrje nuk figuron si produkt peleta dhe nga kjo nuk kemi ne kompetenca.”- deklaroi Berat Dehari, zëvendësdrejtor i NP “Pyjet Nacionale”
Përndyshe, në seancën e 98 të Qeverisë me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë është miratuar vendimi për përcaktimin e çmimeve të peletëve.