Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Faton Ahmeti, ka akuzuar drejtuesit e koalicionit VLEN se po i braktisin interesat shqiptare dhe po shërbejnë vetëm si vegla të pushtetit.
Ai thekson se revizioni në Fondin për Sigurim Shëndetësor është pasojë e problemeve të trashëguara ndër vite, por ajo që po ndodh sot, sipas tij, është braktisje e hapur e pacientëve shqiptarë.
Shkrimi i plotë i Ahmetit në vijim:
Ata që sot bëjnë moral, janë po ata që shitën monopolin dhe çdo pronë publike që mund të shitej, që shitën interesat shqiptare për karrige dhe favore nga padronët e tyre në qeveri.
VREDI nuk përfaqëson shqiptarët – ai është vetëm një vegël e pushtetit që i nëpërkëmb ata.
Revizioni në Fondin për Sigurim Shëndetësor është pasojë e akumuluar ndër vite, por ajo që ndodh sot është braktisje e hapur e pacientëve shqiptarë. Të sëmurët tanë janë lënë rrugëve, ndërkohë që VLEN-i hesht si palë bashkëfajtore.
Në kohën kur BDI menaxhonte Fondin, institucionet frymonin shqip dhe i shërbenin çdo qytetari me dinjitet. Sot, nuk ka më as zë, as zëmër – vetëm shërbim ndaj padronëve.
BDI kërkon veting të thellë dhe të paanshëm për të gjithë – që të shkulen me rrënjë ata që e kthyen shtetin në plaçkë për përfitime personale.