Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Faton Ahmeti përmes një postimi në profilin e tij ka komentuar ngjarjet e fundit se nuk janë vetëm sulm ndaj BDI-së por është një tentim dhe përpjekje të qëllimshme për të zhbërë peshën politike të shqiptarëve në këtë shtet.
“Nëse dikush ende e ka të paqartë, le ta dijë: ky nuk është sulm ndaj një partie, por ndaj një populli. Ata që janë vendosur në institucione nuk përfaqësojnë shqiptarët – përfaqësojnë vetëm veten e tyre. Shqiptarët nuk kanë votuar për kukulla, por për përfaqësim të vërtetë” shkruan Ahmeti.
Reagimi i plotë i Ahmetit:
Çdo ditë që kalon është një dëshmi më shumë e asaj që tashmë është bërë e qartë për të gjithë, përveç atyre që sillen sikur nuk kuptojnë, ose ndoshta nuk duan të kuptojnë: sulmet ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim nuk janë thjesht kapriço politike, por përpjekje të qëllimshme për të zhbërë peshën politike të shqiptarëve në këtë shtet. Nëse dikush ende e ka të paqartë, le ta dijë: ky nuk është sulm ndaj një partie, por ndaj një populli.
Ata që janë vendosur në institucione nuk përfaqësojnë shqiptarët – përfaqësojnë vetëm veten e tyre. Shqiptarët nuk kanë votuar për kukulla, por për përfaqësim të vërtetë.
Institucionet e sistemit kanë detyrimin të ruajnë barazinë dhe drejtësinë. Nëse këto parime përçmohen apo anashkalohen, atëherë mos u ankoni kur pasojat t’i ndjejë jo vetëm një subjekt politik, por vetë shteti, i cili, sa për dijeni, nuk është pronë private e askujt dhe e asnjë etnie.
Shqiptarët nuk janë vizitorë të rastësishëm në këtë shtet. Janë faktor vendimmarrës, bashkëthemelues të shtetit, dhe më e rëndësishmja – janë këtu për të qëndruar.
Kushdo që kujton se mund t’i minimizojë, injorojë apo nënçmojë, thjesht vetëm po mashtron veten.