Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Faton Ahmeti përmes një postimi ka shkruar se përfaqësuesit e VLEN-it në qeveri i bashkon “Klientelizmi si ideologji e vetme”, shkruan Top24
“Kur partia largohet, por ti mbetesh në kolltuk, kjo nuk është më përfaqësim, kjo është dëshmi se s’ke vizion, por vetëm klientelizëm. As ideologji, as qëndrim, as karakter – vetëm një gjë i bashkon: besnikëria ndaj privilegjit dhe padronit, jo ndaj popullit.” shkruan Ahmeti.
Postimi i plotë i Faton Ahmetit
Klientelizmi – ideologjia e vetme që i bashkon…
“Klientelizmi është forma më e sofistikuar e korrupsionit, sepse të mban të varur dhe të heshtur.” – Transparency International.
Kjo është ideologjia e vetme që i bashkon sot ata që kanë mbet nga VLEN-i.
Është bërë më se evidente: pas largimit të një prej partive kryesore nga koalicioni VLEN – për shkak të pranimit të dështimeve të njëpasnjëshme, tradhtisë ndaj kauzës shqiptare dhe heshtjes përballë shkeljeve flagrante – të vetmit që nuk lëvizin nga “vendi” janë disa funksionarë shtetërorë. Ministra e drejtorë që, përkundër rrënimit të përfaqësimit politik të shqiptarëve, zgjedhin të mbesin në pushtet, sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
Kur partia largohet, por ti mbetesh në kolltuk, kjo nuk është më përfaqësim, kjo është dëshmi se s’ke vizion, por vetëm klientelizëm.
As ideologji, as qëndrim, as karakter – vetëm një gjë i bashkon: besnikëria ndaj privilegjit dhe padronit, jo ndaj popullit.
Ironia më e madhe? Këta ishin ata që na shitën “vlera të reja politike”.
Sot, janë makijazhi i një mentaliteti të vjetër që s’ka ndryshuar asgjë.
Kjo nuk është VLEN – kjo është s’VLEN.
Siç thoshte Mark Twain:
“Njerëzit që nuk kanë asgjë për të thënë, gjithmonë gjejnë një vend për të qëndruar aty .”
Por ne nuk do të lejojmë që klientelizmi të bëhet fytyra e shqiptarëve në Maqedoni. BDI nuk do të lejojë që interesi personal i disa individëve të kthehet në ndëshkim kolektiv për një popull të tërë.
Ky popull ka sakrifikuar shumë për të pasur një zë dinjitoz, për të ndërtuar barazi dhe për të ecur përpara me vizion.
Dhe kjo rrugë nuk do të ndalet nga ata që pushtetin e shohin si përfitim personal!
Sepse shqiptarët meritojnë më shumë se S’VLEN.
Shqiptarët meritojnë përfaqësim të vërtetë dhe dinjitoz – jo thjesht një “vend pune” në qeveri.