Italianët do të votojnë dy ditë – nisur nga dita e diel – në referendumet që do t’ua lehtësonin marrjen e shtetësisë fëmijëve të lindur në Itali nga prindër të huaj, dhe do të ofronin më shumë mbrojtje në vendet e punës.
Mirëpo, duket se ndërgjegjësimi jo i madh i publikut rrezikon të dështojë këtë proces, nëse dalja nuk është e mjaftueshme.
Zërat që kërkojnë ndryshime në ligjin për shtetësi besojnë se ato do t’iu ndihmojnë italianëve të gjeneratës së dytë – prindërit e të cilëve nuk kanë pasaporta të vendeve të Bashkimit Evropian – që të integrohen më mirë në kulturën që e konsiderojnë të veten.
Këngëtari italian, Ghali, i cili ka lindur në Milano, por prindërit i ka nga Tunizia, u ka bërë thirrje njerëzve që të votojnë, duke theksuar se referendumi rrezikon të dështojë nëse të paktën 50 për qind, plus një banor me të drejtë vote, nuk marrin pjesë në këtë proces.
“Kam lindur këtu, gjithmonë kam jetuar këtu, por e kam marrë shtetësinë vetëm kur i kam mbushur 18 vjet”, ka thënë Ghali, duke bërë thirrje që të votohet për uljen e afatit ligjor për të aplikuar për shtetësi, nga 10 vjet në pesë.
Rregullat e reja, nëse miratohen, do të ndikojnë në statusin e 2.5 milionë të huajve që ende nuk njihen si shtetas. Këto propozime janë bërë nga sindikata kryesore e Italisë dhe partitë opozitare të krahut të majtë.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka thënë se do të paraqitet në qendrat e votimit, mirëpo nuk do të votojë – veprim që është përshkruar nga e majta si jodemokratik, meqë nuk do të ndihmojë në arritjen e përqindjes së nevojshme që referendumi të konsiderohet i vlefshëm.
Mbështetësit besojnë se kjo reformë do të përshtaste ligjin italian të shtetësisë me shumicën e ligjeve të vendeve të Bashkimit Evropian, duke promovuar integrim më të madh për banorët me leje të përhershme të qëndrimit.
Kështu, këtyre individëve do t’iu ofrohej qasje më e lehtë në të drejtat civile dhe politike, sikurse e drejta për të votuar, e drejta për punësim në institucione publike, dhe liria për të lëvizur brenda BE-së./rel