Çka na ndodhi këta pesëmbëdhjetë vite?
1.Na ndodhi shkelja e krenarisë dhe poshtërimi tejmasë i popullatës së këtuit, i cili tani 15 vite është shndërruar në sistem. Liderët shqiptarë mbyllën sytë edhe atëherë kur duhej më së shumti t’i kenë të çelë. Mbyllën veshët kur duhej më së shumti t’i kenë të hapur. Dikush vite me radhë instrumentalizoi nacionalizmin e vet, ndërkohë që liderët tanë tundjen e kokës e shndërruan në sport personal. Madje kokat e dirigjuara pohonin edhe djallëzimin tonë. Ato tundeshin horizontalisht kur bëhej fjalë për liri, drejtësi, barazi, begati e dinjitet, kurse vertikalisht për të kundërtat. Këso kokash njëfarë liliputin qesharak e kishin shpallë faraon, i cili shpejt na shndërroi në skllevër egjiptian. Faraoni ndërtoi shumë piramida, e në emër të thesarit të fshehtë, brenda piramidave varrosi qindra mijë të gjallë. Por, kokat vazhdojnë të tunden vertikalisht edhe tani kur faraonit i afrohet vdekja. Madje luten që kjo mos të ndodhë.
2.Faraonit iu lejua të na bëjë testim mental, kur iu dha pëlqimi që ta ndryshojë Kushtetutën duke e rrëzuar cenzusin për zgjedhjen e presidentit nga 50% në 40%, që në esencë paraqet defaktorizim esencial të elementit shqipëtar! Robërit u mashtruan se “i madhi” di çfarë bën dhe se fundi do të jetë ndonjë e mirë e madhe. Por, u pa se e mira kishte të bëjë me ata, e jo për ne.
- Lejimi i miratimit të Ligji mbi natalitetin, i cili financiarisht mbështeste vetëm lindjet maqedonase, duke diskriminuar edhe fëmijët e posalindur, është mëkati nga i cili fillova të mendoj se çdo sekondë i tyre afër pushtetit, paraqet dhjetëra vite për ne më afër vdekjes. Por, falë Gjykatës Kushtetuese të atëhershme, ligji u balansua. Na shpëtuan Maqedonas që kishin një fije ndërgjegje.
- Durimi i pashembullt inkurajoi faraonin liliput që t’i vë në lëvizje edhe Komitët që ofendonin “prokleti shiptari” (Shqiptarë të mallkuar), derisa ai vet me shumë ekzaltim dëgjonte këngën e “Racës së Goces”. Urrejtja mbulonte sheshe e stadiume, kurse ai buzeqeshej triumfalisht dhe sikur donte t‘u thotë – atë që doni atë e keni!! Ushtimet e urrejtjes arritën gjer në Beograd, të cilat “nuk i pat dëgjuar” as Ivanovi e as Jankullovska aty prezent! Por, heshtja jonë s’pushoi!!! A thua çfarë borxhi i paskemi këtij liliputi?! Apo ndoshta më të thirrurit e idealit të shqiptarisë paskan këmbyer gjakun e derdhur në ndonjë treg të zi!? Idealizmin e paskan shndërruar në materializëm. U sulmuan fëmijë nëpër autobusë, në rrugë, sheshe, madje edhe nëpër shtëpi. Ne vazhduam heshtjen!
- Dështimet euroatlantike kanë historinë e vet që nga vitit 2009 kur ‘i madhi” u kërcënua me lëshim të qeverisë poqëse s’ka NATO. Kaluan shtatë vite a ne mbetëm aty afër qeverisë, por shumë larg NATO-s !! Maqedonia me emrin e përkohshëm pritej që në vitin 2008 të anëtarësohej në NATO, kurse në 2010 në UE. Rroga mesatare tani do të ishte rreth 800 euro. Kjo u minua duke provokuar qëllimisht Greqinë, që më pas të ndodhë vjedhja historike. Qindra mijë të rinj lëshuan vendin. Ekzodus i vërtetë. Tani na mbajnë ders për Ramazanin dhe samitin e NATO-s! A gjithkush e di se për thirrje në NATO, Maqedonia s’ka nevojë për samit. A sa për fenë…!!!
- Faraoni liliput, me lobim qeveritar siguroi investim nga 23 kompani të jashtme, por asnjërën nuk e orientoi nga ne! Vlera e tyre arrijnë në afër 1.5 miliardë euro dhe janë punësuar rreth 18 mijë vetë, kurse priten edhe 6000 të tjerë. Edhe këto ditë kemi ndërtimin e katër hidrocentraleve – në Probishtip, në Koçan, mbi lumin Kadinë, por jo edhe këndej. Pastaj firma gjermane GES, grupacioni indias BRG – Porcelanka e Velesit, të gjitha bashkarisht mbi 2000 punësime të reja. Në pjesën shqiptare një ZERO e madhe. Shteti ka harxhuar qindra milionë euro për subvencionim të këtyre firmave, tokat gratis, infrastruktura falas, madje disave ua paguajmë edhe tatimin personal për të punësuarit. Kështu s’ka pasur as në Egjiptin e vjetër. Ne heshtim! Nuk e kemi të qartë se poqe se pa interesim e shohim të keqen, shpejtë ajo me shumë interesim do të na sheh neve.
7.Nga afërsisht 300 përmendore në sheshin e Shkupit, asnjë shqiptare. Tanët i paguajmë vet dhe i vëmë pas kasolles që mos ta shqetësojmë faraonin. Mbi 600 milion euro (para edhe tonat) u hedhën në beton e gjips, në kohën kur rinia jonë endet e pashpresë, shpërngulet, degjenerohet e shkatërrohet. Kurse faraonit s’guxohet t’i prishet qejfi! Atëherë, çfarë arsye kishte 2001 kur u bë edhe më keq!? U ndërtua njëfarë perspektive vetëm për të paaftit, pasi ata sikur edhe patronët e tyre s’kanë asnjë talent tjetër pos të tundin kokën vertikalisht. Paaftësinë e tyre e paguajnë të aftit të cilët çdokund në botë vlerësohen pos në shtetin e vet. Përpara syve na rrënohen vlerat dhe na ndërtohen antivlerat. Na rrënohet e vërteta e jonë që të ndërtohet mashtrimi i faraonit, i cili mbi gërmadhat tona vazhdimisht ndërton piramida të reja duke na shndërrua në shkretirë. Por, si duket dikush vajin e popullit e ka shndërruar në këngë të veten.
8.Durimi vazhdoi edhe pas rastit “Monstra”, ku në mënyrën më monstruoze u dhunuan drejtësia, barazia, e liria. A më pas Gjorçe Petrovi tregoi se gjykatat e faraonit janë të pavarura nga e drejta e ligji.
- Para zgjedhjeve të fundit premtuan kryetarin konsesual, premtuan njërin nga tri funksionet kyç, ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit në parlament, zgjidhjen e emrit, anëtarësimin në NATO, rregullimin e gjuhës, buxhetit. Por, premtimet u ngatërruan në rrjetin e tenderëve, të cilët rrënojnë çdo parim, nder apo moral. Aq më shumë, pranuam ndryshime kushtetuese për luanin e VMRO-së dhe për larjen e parave. Falë Qufës dhe do tjerëve kjo katastrofë u pengua.
KU ËSHTË OPOZITA?
Ajo është e përçarë dhe jeton në vetëkënaqësi. Do bajraktarë janë verbuar nga qëllimet dhe s’duan ta shohin veten në pasqyrë. Vështirë e kanë ta kuptojnë se janë – nëse jo shkak, por gjithësesi shkas për mosunifikim të opozitës. Dikur e madhëronin “të madhin” gjer në qiell e tani duan ta shohin në nëntokë. Por, amnezioni s’mund të jetë aq i vogël sa të mos shifen ambiciet e mëdha, të cilat janë në rrugë që “të madhit” t’ia sigurojnë edhe një fitore në pjatë..!!!
Lëvizja Besa, në udhëheqësi ka njerëz me dinjitet e moral, të cilët nuk duhet të lejojnë që ndokush t’ua kidnapoj partinë e t’ua nëncmoj inteligjencien. Ata sa më shpejtë duhet drejtëpërdrejtë të ulen me ata tw Aleancës, të cilët poashtu disi qëndrojnë në mjegulla dhe të ndërtojnë unitet. Për ate punë nuk kanë nevojë për tutorë, aq më pak me afat të kaluar. Në këtë drejtim meriton lavdata partia e UNITETI-t e cila me mish e shpirt punon për unitet opozitar. Cdo analizë relevante tregon se pa koalicionim të përgjithshëm opozita do të mbetet margjinë. Fitorja e sërishme e BDI-PDSH do të ishtë humbje katastrofale e gjithë neve. Atëherë s’do të kemi nevojë për lot krokodila nga ata që tani mbajnë peng unifikimin e saj.