Familjarët e pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës thonë se procesi kundër të afërmive të tyre është politik, e jo gjyqësor. Prandaj shtojnë se në duart e politikës gjendet mundësia për të dëshmuar se ata nuk janë terroristë.
“Ali Ahmeti dhe Zijadin Sela duhet ta kushtëzojnë Zoran Zaevin t’i publikojë incizimet që do të ndriçojnë rastin e Kumanovës. Me publikimin e incizimeve do të dalin në shesh të gjitha lojnat e pista që janë bërë nga shërbimet dhe do të tregohet se pjesëtarët e Grupit të Kumanovës nuk janë terroristë. Ali Ahmeti dhe Zijadin Sela kanë mundësi t’i shpëtojnë familjarët tanë nga dënimi i padrejtë i gjykatës maqedonase. Nëse e bëjnë këtë do t’u jemi falemnderues. Por nëse nuk e bëjnë, do t’i llogarisim fajtor njëjtë sikurse gjykatat e Maqedonisë. Kurrë nuk do t’ua bëjmë hallall”, thotë një familjar.
Ata janë të bindur se nëse heshtin Ahmeti e Sela, familjarë të tyre do të dënohen me dënime nga 15 vite e përpjetë, e disa edhe me burg të përjetshëm.
“Ahmeti dhe Sela na kanë dërgu njerëz dhe na kanë thënë të jemi të durueshëm, sepse vendimi i Gjykatës themelore do të anulohet më tutje. Ne nuk besojmë, sepse premtime të njëjta më herët u kanë dhënë edhe të dënuarve të Sopotiti, Brodecit, Monstrës, por vetëm i kanë gënjyer. Ne kërkojmë që e vërteta të dalë menjëherë në shesh”, theksojnë familjarët.
Nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti veç tjerash ata kërkojnë që të dalë dhe publikisht të pranojë se ka dështuar implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, me çka do të lehtësonte edhe mbrojtjen e të akuzuarve të Grupit të Kumanovës.
Ndryshe në Gjykatë, sot prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion ka filluar të prezantojë pjesën e dytë nga fjala përfundimtare, pasi në seancën e kaluar, disa orë, prokurori Naum Panoski ka prezantuar pjesë nga provat kundër të akuzuarve.
Në seancën e fundit prokurori Panovski ka përmendur edhe pjesë të bisedave të përgjuara të akuzuarve të cilët disa muaj, si dhe në ditën e sulmit, kanë qenë të ndjekur me urdhër gjykate. Nesër prokurori do të duhet të zbardh edhe prova të reja të cilat i ka kundër të akuzuarve, si dhe të deklarohet se çfarë dënimesh kërkon prokuroria dhe një bazë të cilave prova.
Argumentimi përmbyllës i prokurorisë është rreth 40 faqe. Prokurori, Naum Panoski në gjykatë ka përmendur edhe pjesë të provave të ofruara nga PI masat, të cilat në përputhje me ligjin, gjatë procedurës, kanë qenë të prezantuara në gjykimin me dyer të mbyllura për opinionin. Në bisedat e përgjuara, prokurori Panoski ka thënë se ka edhe të tilla, sipas të cilave vërtetohet se të akuzuarit kanë kontaktuar me persona të panjohur, për të marrë informacione se ku gjendet policia. Sipas prokurorisë, të akuzuarit në ditën e sulmit kanë kontaktuar edhe me Artan Grubin, i cili ka negociuar që ata të dorëzohen tek forcat policore. Ka edhe bisedë të inçizuar në të cilën personi i panjohur i njofton të akuzuarit (organizatorët) se snajperistë fshihen pas ambulancës, ka thënë Panoski.
Në gjykim, derisa prokurori i ka prezantuar argumentet përmbyllëse, disa të akuzuar janë ngritur në këmbë dhe kanë kërkuar nga gjykata që të dalin jashtë nga salla me arsyetimin se prokrori po thotë të pavërteta dhe marrëzira. Të akuzuarit kanë kërkuar nga gjykata që në seancë gjyqësore të dalin si dëshmitarë edhe Nikolla Gruevski, Sasho Mijalkov, Gordana Jankulovska, Ali Ahmeti dhe Artan Grubi. Një pjesë e të akuzuarëve para gjykatës kanë pohuar se ata duhet të dëshmojnë, pasi, siç kanë thënë, edhe ata janë përzer në organizimin e sulmit terrorist. Gjykata e ka refuzuar një propozim të tillë.
Në Lagjen e Trimave më 9 dhe 10 maj para dy viteve jetën e humbën tetë pjesëtar të forcave policore, kurse rreth dyzet të tjerë kanë qenë të plagosur.Kurse nga grupi i armatosur u vranë 10 pjesëtarë.

