Gati ka mbaruar semestri i parë u vitit akademik 2017/2018, ndërsa Universiteti Nënë Tereza në Shkup ende nuk ka kompletuar stafin akademik. Askush nga drejtuesit e Universitetit nuk kanë pranuar të tregojnë për kuadrot deficitare përkundër se në vitin e ri akademik kanë regjistgruar diku rreth 50 studentë në Fakultetin teknik në vitin e parë dhe të dytë.
“Këtë vit regjistruam gjeneratën e dytë, ndërsa tani studentët vazhdojnë në vitin e parë dhe të dytë”, theksojnë nga UNT duke refuzuar të thonë numrin e saktë të studentëve në Fakultetin teknik. “Ka interes nga studentët, te gjitha këto drejtime funksionojnë në vitin e parë dhe të dytë në UNT”.
Ndërsa disa ditë më herët Rektori Aziz Pollozhani ka thënë se deri në përfundim të këtij viti, UNT do të jetë i kompletuar me 95 për qind të stafit akademik. Për ata vende pune, që eventualisht nuk do të ketë kuadër adekuat, Konkursi do të mbetet i hapur edhe më tej, pasi Ligji për punësim e lejon transferimin e konkursit për plotësimin e vendeve të punës nga njëri vit në vitin pasues, ndërsa për stafin administrativ janë punësuar 12 persona dhe 8 vende të tjera pritet të plotësohen së shpejti. Ende më optimist tingëllon rektori kur flet për çështjen e studentëve.
“Këtë vit regjistruam rreth 500 studentë, ndërsa u formuan grupet e programeve studimore të cilat janë esenca e universitetit tonë, pra të fushave teknike. Me afirmimin e punës sonë, shpresojmë se prej vitit të ardhshëm të kemi numër ende më të madh të studentëve pasi kemi shtim të programeve studimore si te shkencat teknike, ashtu edhe tek shkencat sociale”, ka thënë Polozhoni.
Numri i vogël i studentëve arsyetohet me mungesën e idustrisë në tregun e brendshëm ose thjesht se fakultet është i vështirë pëe t’u mbaruar./Almakos