Fakulteti i Administrimit të Biznesit e prezantoi ofertën akademike para maturantëve të Kumanovës

Fakulteti i Administrimit të Biznesit e prezantoi ofertën akademike para maturantëve të Kumanovës

Oferta akademike e Universitetit të Tetovës për vitin 2021/2022 (më,14 prill 2021), u prezantua para maturantëve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë. Me këtë rast maturantët përmes platformës online patën mundësi që të njihen në detaje me programet studimore, mundësitë dhe kushtet e studimit si dhe ofertën në tërësi të Fakultetit të Administrimit të Biznesit. Dekani i këtij fakulteti, Prof. Dr. Llokman Hebibi, në fjalën e tij para maturantëve tha se fakulteti që ai e drejton ofron programe studimore të ciklit të parë.

Sipas tij, programet studimore janë të dizajnuara për t’u pajisur me njohuri dhe aftësi personale që maturantëve do t’u duhen për të realizuar aspiratat e tyre në ekonominë e sotme globale. “Këto studime ndihmojnë në zhvillimin e aftësive interpretuese të nevojshme në ekonominë bashkëkohore globale. Studimet e ciklit I zgjasin 4 vite dhe studentëve të diplomuar u mundësohet që të kontribuojnë në sferën e ndërtimit të politikave, menaxhimit me institucione dhe me resurse humane. Edhe këtë vit Fakulteti i Administrimit të Biznesit ofron dy programe studimore:
Administratë Biznesi dhe Administratë Publike. Programi studimor në drejtimin e Administrimit të Biznesit bën lidhje në mes teorisë dhe praktikës si një nga kushtet më të rëndësishme për përvetësimin e shkathtësive dhe njohurive të nevojshme për karrierë të suksesshme. Programi studimor Administratë Publike përgatit udhëheqës të ardhshëm kryesisht për institucionet qeveritare në nivel qendror dhe lokal si dhe organizata joqeveritare” – tha Prof. Dr. Llokman Hebibi.

Në prezantimin e ofertës akademike po ashtu u tha se synimet e Fakultetit të Administrimit të Biznesit përmes programeve studimore janë: Përgatitja e studentëve për ndërtim karriere në sektorin publik, joqeveritar dhe privat; zhvillimi i kompetencave dhe menaxhimi me institucionet publike, hulumtuese, analizimi i politikave publike, menaxhimi me resurset njerëzore, me organizatat jofitimprurëse; Krijimi i një gjenerate të re administratorësh kompetentë dhe profesionistë që do t’u përgjigjen sfidave evropiane integruese; Aftësimi gjatë përgatitjes së studimeve në fushën e politikave zbatuese në ekonomi, menaxhment dhe gjyqësi si dhe zhvillimi i kulturës së veprimit në praktikë dhe teori; Zbatimi i komunikimit bashkëkohor institucional nëpërmjet teknologjive të reja.

Në përmbyllje të këtij prezantimi, Dekani i Fakultetit të Administrimit të Biznesit, Prof. Dr. Llokman Hebibi, tha se me përfundimin e studimeve në këtë fakultet, të diplomuarit do të jenë në gjendje të kontribuojnë në krijimin, zbatimin, zhvillimin dhe vlerësimin e politikave publike, për të mirën e shoqërisë. Fakulteti ynë vazhdimisht bën rishqyrtimin e programeve tona studimore në përputhje me nevojat e ndryshueshme në tregun e punës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve në rajon.

Maturantët shprehën interesim të jashtëzakonshëm për të vazhduar studimet në Fakultetin e Administrimit të Biznesit, por parashtruan edhe një sërë pyetjesh tjera për njësitë tjera akademike të Universitetit dhe programet studimore që ato ofrojnë.