Ola Mitre – Teksa shqiptarët festonin ditën e parë të vitit 2021, kryeministri Edi Rama u shfaq në ekranet e televizioneve, duke dhënë lajmin se ishte arritur marrëveshja me kompaninë Pfizer për sigurimin e 500 mijë dozave vaksinë për COVID-19. “10 750 dozat e para të kësaj kontrate do të mbërrijnë në Shqipëri në fillim të javës së tretë të janarit. 30 250 doza të tjera do të vijën në shkurt e të tjerat me radhë, muaj pas muaji, në bazë të planit të vaksinimit”,-deklaroi kryeministri. Pak ditë më pas, ai bëri publik edhe planin që e quajti ambicioz, për përfundimin e procesit brenda 14 muajsh, me vaksinimin e 2.2 milion shqiptarëve. “Kemi parashikuar tre skenarë. Në skenarin e tretë është në 24 muaj. Duam të jemi ambiciozë dhe ta mbyllim në 14 muaj. Janë rreth 2.2 milion që presin”,-deklaroi Rama në datën 14 janar.
Vaksinimi për COVID-19 filloi zyrtarisht në datën 11 janar, ku 50 mjekë e infermierë të spitaleve COVID ishin të parët që u bënë pjesë e këtij procesi. Vaksinimi filloi me 975 doza, falë donacionit të një vendi që sipas kryeministrit Edi Rama kishte kërkuar të mos bëhej publik, ndërkohë që priteshin edhe dozat e tjera sipas marrëveshjes me Pfizer, e cila u konsiderua si sekret tregtar e për pasojë nuk u publikua e plotë. Praktikisht, vlera e paguar për blerjen e vaksinave, numri i tyre dhe koha e mbërritjes, janë të dhëna që nuk dihen nga qytetarët.
Por, teksa brenda muajit janar pritej të mbërrinin 10750 doza, ky muaj u mbyll vetëm me dozat e dhuruara, ndërkohë që në mbrëmjen e datës 1 shkurt mbërriti sasia prej 1 170 doza, si pjesë e kontratës së nënshkruar nga qeveria shqiptare apo vetëm rreth 10% e sasisë së deklaruar nga kryeministri. Ndërkaq, teksa merrte dozën e dytë të vaksinës në datën 2 shkurt, ai tha se brenda muajit shkurt pritet ardhja e 30 mijë dozave dhe se ishin shumë afër arritjes së marrëveshjes për vaksinën me AstraZenca, duke ripërsëritur zbatimin e skenarit për përmbylljen e vaksinimit brenda 14 muajsh.
Pavarësisht, këtyre deklaratave gjatë muajit shkurt mbërritën në total 17 355 doza (përfshirë dhë donacionin prej 975 doza) apo pak më pak gjysma e sasive që priteshin të mbërrinin. Ndërkaq, Rama filloi të bënte deklarata të tjera publike se kishte marrë konfirmim nga një vend që dëshironte të mbetej sekret për 350 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca. “Jemi shumë afër marrëveshjes, por nuk dua të them më tepër”,-tha ai, në datën 14 shkurt, por gjithçka mbeti në nivel deklaratash, pasi këto vaksina nuk kanë mbërritur në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, deri në fund të muajit shkurt u kryen 13 495 vaksinime, ndërsa në datën 1 mars mbërritën 15 210 doza, si pjesë e marrëveshjes me Pfizer.
Teksa në total numri i vaksinave të ardhura zyrtarisht arriti në 32 565 doza, në datën 4 mars kryeministri premtoi vaksinim intensiv gjatë periudhës mars-qershor, me qëllim lehtësimin e sezonit turistik, ndërkohë që një javë më pas mbërritën në Shqipëri dhe 38 400 doza të vaksinës Astra Zeneca si pjesë e mekanizmit COVAX, ku Shqipëria bën pjesë si dhe 9 360 doza Pfizer. Përveç tyre, në datën 22 mars mbërritën edhe 10 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik V, si dhuartë nga princi i kurorës së Emirateve të Bashkuara, duke çuar numrit toat në mbërritur në 90 325.
VAKSINA TË PACERTIFIKUARA NGA EMA APO FDA
Mbërritja e këtyre vaksinave, erdhi pak ditë pasi qeveria shqiptare i hapi rrugën përdorimit të vaksinave anticovid-19, që nuk janë të certifikuara nga agjencia amerikane dhe europiane e barnave. Përmes, një Akti Normativ, që mban datën 12 mars, Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime, në aktin e mëparshëm që rregullon procedurat për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anticovid-19, si dhe përodrimin e tyre në popullatë. Ky ishte një ndryshim i fortë në qëndrimin e qeverisë shqiptare, që kishte qenë e vendosur të mos lejonte përdorimin e këtyre vaksinave, teksa më herët kryeministri Edi Rama reagoi ashpër ndaj një postimi të ambasadës së Rusisë në Tiranë, ku thuhej se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik V” në Shqipëri. Rama e quajti këtë postim të papërshtatshëm dhe provokim qesharak nga shteti rus, ndërsa shtoi se mirëpriste një ndjesë nga ambasada ruse. Zbutja e toneve, ndaj vaksinave të pacertifikuara nga agjencia europiane dhe amerikane e barnave ishte vënë re edhe në deklaratat e ditëve të fundit, në kushtet kur edhe dërgesat e kompanisë Pfizer, po ecin me rritme të ngadalta.
Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti e sheh ndryshimin e qëndrimit të qeverisë në 2 koncepte: atij mjekësor dhe atij ligjor. “Për konceptin mjekësor, unë jam shprehur që në muajin janar që nuk bënte sens që të mos shikoheshin dokumentet. Pra t’i thuash dikujt apriori, pa parë asnjë dokumentacion dhe ndërkohë, ja ku jemi 2 muaj mbrapa dhe e pranojmë, kjo nuk shkon”,-thotë mjeku. “Nga ana e legjislacionit pastaj , Sputnik V po merret në shqyrtim nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe shumë shpejt besoj do të thotë OK, por nuk e dimë të saktë. Gjithsesi unë jam me parimin që duhet pritur certifikimi. Pra, pjesa ligjore duhet ruajtur se përndryshe çfarë e dallon kontrabandën nga kjo pastaj?! Shumë barna përshembull nuk janë të regjistruara në Shqipëri. Nëse ato përdoren në Shqipëri do të thotë që hyjnë kontrabandë, por jo se nuk janë të vlefshme”,-shton ai. Gjithashtu, ai e cilëson të nxituar nisjen e përdorimit të vaksinës ruse, përsa kohë edhe numri i dozave të mmbërritura në vendin tonë, është i kufizuar. Edhe sipas kryetares së Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg ”shteti shqiptar duhet te ecë paralel me strukturat europiane dhe amerikane. “Për fatin e mirë ekzistojnë struktura neutrale të nivelit europian dhe boteror, që nga EMA dhe FDA te cilat kontrollojnë dhe patentojnë çdo medicament, duke filluar që nga vaksinat që janë licencuar për COVID-19. Kështu që besueshmëria e tyre është e vërtetuar në aspektin klinik dhe është e vulosur për garancinë që kan dalë në treg dhe janë të besueshme”,-thotë Dollenberg. “Kjo është rruga e duhur për të pasur një standard të kualifikuar europian”,-shton ajo.
Mjeku Alimehmeti flet edhe për sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës Sputnik V apo dhe vaksinave kineze Sinovac apo Sinofarm. “Për vaksinat kineze nuk ka asnjë të dhënë, pra ne jemi komplet në errësisrë. Dimë vetëm nga shtetet që po e përdorin, nga Turqia dhe Serbia, por këto janë në nivel shtetsh, nuk janë në nivel provash klinike”,-thotë mjeku. “Ndryshe është situata për vaksinën ruse. Rusët, për vetë faktin që janë në shqyrtim nga EMA, do të thotë që kanë bërë disa hapa dhe dokumentacioni që kanë çuar është i plotë sepse EMA nuk të merr në shqyrtim nëse nuk ke dokumentacion të plotë. Në shtator u publikuan të dhënat e provës së parë klinike për vaksinën Sputnik V dhe në janar të këtij viti publikoi të dhënat e fazës së tretë, ku pretendonte efektiktivitet 91.6%”,- shton më tej ai. Sipas Dollenberg “nëse një vaksinë është e sigurt dhe efektive, nuk ka rëndësi se në cilin shtet është prodhuar, pasi sigurisht që mund të ndihmojë në mposhtjen e pandemisë. “Ajo që është shumë e rëndësishme është që vaksina duhet të kalojë nëpër një proces të autorizimit. Rusia tashmë ka aplikuar për autorizimin e vaksinës në EMA. Lidhur me vaksinën Sputnik V ka pasur skepticizëm të madh qe në mesin e gushtit të vitit të kaluar nga autoritetet ruse. E thënë ndryshe në lidhje me efikasitetin e vaksinës duhet të flasin institucionet përkatëse, që janë EMA dhe FDA“,-thotë ajo.
PLANI 14-MUJOR, NË PIKËPYETJE
Me nisjen e provcesit të vaksinimit në muajin janar të këtij viti, muaji shkurt i vitit 2022 do të duhet të shënojë përmbylljen e të gjithë procesit dhe vaksinimin e 2.2 mln qytetarëve. Por, teksa po shkon drejt mbylljes muaji i tretë, në Shqipëri kanë mbërritur në total vetëm 90 325 doza, ndërkohë që deri në datën 23 mars numri i vaksinimeve zyrtarisht regjistrohet në 51 690. Ministria e Shëndetësisë raporton shifrat mbi bazën e numrit të vaksinës dhe jo të numrit të personave të vaksinuar, çka përbën ndryshim nëse marrim në konsideratë se një person duhet të marrë 2 doza të vaksinës Pfizer. Me këto ritme, plani ambicion i qeverisë duket i largët, teksa edhe skenari i tretë që parashikon që procesi të mbyllet në 24 muaj vihet në pikëpyetje.
Në fakt, në mesin e muajit mars, përveç aktit normative që i hap rrugën përdorimit të vaksinës ruse apo kineze, qeveria dorëzoi në Kuvend edhe 2 Akte Normative, që lidhen me vaksinat anticovid, duke synuar përshpejtimin e procesit të mbërritjes në vendin tonë. Akti i parë, parashikon ndryshime në marrëveshjen që qeveria shqiptare ka me aleancën Gavi, mbi shpërndarjen e vaksinave përmes mekanizimit COVAX. Ndërsa Akti i dytë Normativ parashikon autorizimin e ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anticovid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre. Sipas relacionit shoqërues, përmes negociatave për sasinë e dozave do të përcaktohet edhe çmimi, pagesa apo parapagesa, detyrimet dhe modalitetet e transportit, përgjegjësisë së palëve, gjykimit të mosmarëveshjeve ashtu edhe për të gjitha detyrimet e të tjera që mund të burojnë nga lidhja e një marrëveshje të tillë.
Dollenberg thotë se “qeveria shqiptare ka bërë përpjekje maksimale për të pasur dozat e vaksinave, por duhet të kuptojmë që jemi në një situatë ku gjithë Evropa apo gjithë bota ka probleme me furnizimin e vaksinave Anticovid”. “Ne si Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë, e regjistruar ne Gjermani i kemi drejtuar një letër zyrtare Komisionit Europian ku kërkojmë rritjen e dozave të vaksinave që duhet të dërgohen drejt trojeve shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni ) dhe jemi akoma në pritje të një përgjigjeje”,-shton ajo. Ndërkaq, mjeku Alimehmeti thotë se rritmi i ardhjes së vaksinës është i paparashikueshëm, por duhet të përqëndrohemi te kapacitetet. “Ne sigurisht që kemi kapacitete, por ajo që ne duhet të kishim bërë më herët është ngritja e një sistemi elektronik të menaxhimit të thirrjes së njerëzve që ju vjen radha për të bërë vaksinën sepse aktualisht kjo po bëhet jashtë standardit”,-thotë Alimehemti. “Aktualisht njoftimet bëhen nga mjeku i familjes, por kë do thërrasë mjeku i familjes?! Do thërrasë gjyshin e vet, shokun, të njohurit e tij dhe ndërkohë kjo skemë lë vend edhe për korrupsion. Po të kishim një system elektorinik me të gjithë kategoritë që kanë radhën, përzgjedhja do bëhej nga sistemi, jo nga njeriu. Më pas kemi edhe probleme të tjerë, përshmbull që mjekun e familjes e kanë në Gjirokastër dhe vetë jetojnë në Tiranë, kemi kategori që nuk kanë fare mjek familje. Pra, kemi disa hapa që duheshin bërë më përpara. Nevojiten politika që të ndiqen në afatgjatë”,-përfundon ai.



