Kompaia energjetike EVN realizoi sot një takim me qytetarët, gjegjësisht me përfaqësuesit e Këshillit Organizativ të protestave, ku diskutuan për kërkesat që ky këshill i ka përpiluar në emër të qytetarëve ndaj EVN-së dhe për të cilat qytetarët protestuan ditë më parë në Tetovë. Pas takimit disa orësh mes tyre, Blerim Fejzulli nga Këshilli organizativ i protestave njoftoi se kërkesat e tyre janë pranuar nga EVN dhe për të njejtat kanë marrë premtime se do të realizohen, mirëpo konkretizim të këtyre kërkesave do të kenë ditët në vijim.
“Pas takimit të sotëm ku patëm një diskutim të hapur dhe konstruktiv, morëm premtim se problemet që i takojnë EVN-së, hap pas hapi do të zgjidhen. Përgjigjen me shkrim do ta marrim në ditët në vijim dhe do ju informojmë të gjithëve”, deklaroi Blerim Fejzulli nga Këshilli Organizativ I protestave.
Edhe zëdhënësi i EVN-së, Atanas Kovaçevski, tha se për kërkesat dhe keqkuptimet që konsumatorët i shprehin ndaj tyre do të gjindet zgjidhje, pra të gjitha ata kërkesa që janë drejtuar tek ata dhe ndaj të cilave EVN ka kompetenca do mundohen që t’i zgjidhin.
“Ne jemi kompani që është e hapur me konsumatorët e saj dhe çdo kërkes apo keqkuptim i tyre mundë të kalohet, ne mundohemi që ta kalojmë. Sot kishim një bisedë konstruktive dhe biseduam për të gjitha pikat që janë të rëndësishme për konsumatorët tanë…Ajo që është në kompetencë të EVN-së, EVN tashmë dha disa propozime konkrete dhe lamë hapsirë që ato t’ua dërgojmë edhe në formë të shkruar”, tha zëdhënësi i EVN-së, Atanasa Kovaçevski.
Kovaçevski gjithashtu njoftoi se në përgjigjen që do të merr Këshilli organizativ nga ato në formë të shkruar, do të ketë data dhe të dhëna konkrete se cila këkresë dhe si do të zgjidhet.
Ndryshe, qindra qytetarë në Tetovë të premten protestuan kundër kompanisë energjetike EVN, kryesisht kundër faturave të shtrenjta të rrymës elektrike.
Emine Ismaili /SHENJA/

