Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një banori të Reçicës së Vogël, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale – Prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të lëndëve narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve, sipas nenit 215, paragrafi 1 i Kodit Penal.
I dyshuari, më 30 dhjetor, mbante në automjetin e tij paketime me gjithsej 50.13 gramë lëndë narkotike marihuanë. Kur policia e Tetovës e ndaloi për kontroll, ai hodhi një pjesë të drogës nga dritarja e makinës, ndërsa një pako u gjet në këpucën e tij.
Prokurori publik i ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Tetovës një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Gjykata e ka pranuar kërkesën dhe i ka caktuar paraburgim për një periudhë prej 30 ditësh.