Aktivitetet për zbatimin e regjistrimit të popullsisë do të intensifikohen gjatë javëve të ardhshme me rishpalljen e thirrjes për angazhimin e regjistruesve dhe instruktorëve rajonal. Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostoll Simovski, thotë se pavarësisht shtyrjes së regjistrimit në prill, aktivitetet nuk janë ndaluar kurrë dhe gjithçka do të jetë gati për regjistrimin në terren në muajin shtator. Sipas tij, koha e mbetur për zgjedhjen e regjistruesve dhe vaksinimin e atyre që do ta pranonin këtë mundësi, është e mjaftueshme. Simovski thotë se bëhet përpjekje për zbatimin e regjistrimit të sigurt.

Me Ministrinë e Shëndetësisë jemi dakorduar që të ruhet rezervë vaksinash për pjesëmarrësit në regjistrim të cilët do të zgjidhen nëpërmjet konkursit. Ne kemi tashmë protokolle për regjistrimin. Me gjasë ata do të pësojnë ndryshime varësisht se si do të zhvillohet situata me pandeminë – deklaroi Apostoll Simovski, Drejtor i Entit të Statistikës.
Statistika do të riaktivizojë fushatën për thirrjen e diasporës për vetë-regjistrim. Pas hovit të madh të vetë regjistrimit të shtetasve që jetojnë jashtë vendit në mars, interesimi u ul dukshëm në muajt që pësuan edhe pse mundësia e vetëregjistrimit mbetet e hapur.
“Gjithsesi, ata janë njerëz që jetojnë jashtë vendit dhe ai komunikim dhe pranim informacionesh nuk është aq i thjeshtë sa për njerëzit që janë prezent në shtet. Megjithatë i bëjmë të gjitha përpjekjet që të informohen në mënyrë plotësuese dhe presim që në gusht dhe, normalisht, në shtator do të kemi intensifikim të vetëregjistrimit”, tha Apostoll Simovski, Drektor i Entit të Statistikës.
Simovski beson se zgjedhjet lokale që duhet të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit nuk do të ndikojnë në efikasitetin e regjistrimit.
“Megjithatë, në këtë shtet, fushata nuk përfundon asnjëherë dhe në këtë pjesë nuk mund të bëjmë asgjë. Kurdo që ta mbajmë regjistrimin dikush do ta keqpërdorë për qëllime të caktuara politike të fushatës. Mendoj se, para së gjithash në aspektin formal, nuk ka asnjë mundësi që të keqpërdoret regjistrimi për qëllime politike në fushatë dhe anasjelltas, që fushata e zgjedhjeve lokale të ndikojë te regjistrimi”, theksoi Apostoll Simovski, Drektor i Entit të Statistikës.
Çfarëdo shtyrje tjetër e regjistrimit do të ishte në dëm te shtetit, përsëriti qëndrimin e tij Simovski. Regjistrimi në terren i popullsisë, amvisërive dhe banesave, sipas ligjit në fuqi, duhet të bëhet nga data 5 deri 30 shtator.
Fatlume Dervishi