28 Janar
Pas takimit të mbrëmshëm pesë orësh, kryeministri Zoran Zaev kërkoi përfshirjen e liderëve të partive dhe Presidenti Ivanov në negociata. Ai tha se zgjidhja e emrit bashkë me vullnetin politik të palëve në kontest kërkon edhe konsensus të brendshëm kombëtar.
Me zgjidhjen e kontestit bilateral që zgjat për 25 vite kemi për qëllim të arrijmë përparim dhe integrim në integrimin e RM-së në BE dhe NATO si dhe mbrojtjen e identitetit nacional dhe dinjitetit të popullit tonë. Që t’i realizojmë këto qëllime është e domosdoshme kyçja e Qeverisë, opozitës, Presidentit të shtetit dhe informimi në kohë dhe objektiv i qytetarëve të Maqedonisë. Për këtë nevojitet guxim politik nga ana jonë, por zgjidhja është e mundur nëse këso vullneti politik ekziston edhe në palën greke – tha Zoran Zaev, Kryeministër.
Por qëndrimi i kreut të VMRO DPMNE-së Hristijan Mickovski se prej tani e tutje përgjegjësi për negociatat rreth emrit bie vetëm mbi pushtetin, hap dilema nëse partia opozitare do të mbështesë ose jo negociatat e mëtejme për emrin.
Sinqerisht mua nëse më pyesni, mund të them se mbase duhej që ky takim të ndodhte shumë më herët, por ja që ndodhi sot. I morëm informatat, kemi ide se deri ku janë negociatat momentale, ku është vetë procesi. Ashtu që, tani e tutje, mund të them se përgjegjësie e plotë se si do të udhëheqë procesin bie mbi Qeverinë – deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO DPMNE-së.
Kreu i BDI-së Ahmeti takimin e vlerësoi si të frytshëm, ndërsa presidenti Ivanov tha se takimi do të ndihmojë në ndërtimin e qëndrimeve të secilit veç e veç, nga çka do të varet edhe konsensusi i nevojshëm kombëtar.
Vlerësoj se ka qenë një nga takimet më të frytshme sa i takon zhvillimeve në vend. Unë personalisht e vlerësoj shumë lartë këtë dialog mes palëve. në kërkim të një zgjidhjeje të pranueshme për palët. Unë vlerësoj se ky është fillimi i fundit të një procesi shumë të rëndësishëm për vendin tonë – u shpreh Ali Ahmeti, BDI.
Pres që në të ardhmen Qeveria të na informojë dhe të jemi të koordinuar për të gjitha aktivitetet, por mbetet përgjegjësia e Qeverisë që në kohë ta informojë edhe opinionin për ato gjëra që duhet të dihen në opinion. Në një rast kam thënë se jam realist me përvojë -theksoi Gjorge Ivanov, President.
Takime me krerët e partive u paralajmëruan edhe në të ardhmen. Koordinimi i mbrëmshëm është në korrelacion me koordinimet në Athinë si dhe me vizitën e paralajmëruar të ndërmjetësuesit të OKB-së, Metju Nimic në Shkup e Athinë për të kuptuar qëndrimet e palëve rreth propozimeve të ofruara.
Anesa Alihu

