Uniformat blu kanë arrestuar një 27 vjeçar me shtetësi amerikane, pasi një ditë vodhi një automjet në Vorë, ndërsa të nesërmen një taksi.
Në pranga ka rënë i riu Anthony Rhodes, një ish-ushtarak, me origjinë nga Ohio.
E gjithë ngjarja ka nisur mbrëmjen e datës 19 tetor, kur ai është është paraqitur në një pikë karburanti në Yrshek me një automjet të vjedhur. Pasi 27 vjeçari furnizoi makinën me karburant, ai është larguar menjëherë pa kryer pagesën.
Sakaq, dy ditë më vonë, i riu amerikan ka vjedhur një taksi në rrugën dytësore të autostradës së Tiranës. Teksa taksisti ka qenë duke zbarkuar bagazhet e Rhodes, ky i fundit mori taksinë dhe u largua me shpejtësi.
Policia e Tiranës është vënë në ndjekje të 27 vjeçarit i cili po lëvizte me taksinë e vjedhur.
Teksa blutë po e ndiqnin atë, 27 vjeçari ka goditur një nga makinat e policisë.
Kapja e të riut është bërë në Elbasan, ndërsa neutralizimi i tij fizik nga efektivët ishte i vështirë për shkak të stërvitjes ushtarake që kishte 27 vjeçari.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin A. R., 27 vjeç, banues në ShBA, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet në Vorë, me të cilin ka shkuar në një karburant dhe e ka furnizuar por nuk kryer pagesën. Më pas, ditën e djeshme, ka marrë një taksi dhe pasi drejtuesi i taksisë ka zbritur nga mjeti, shtetasi A. R. ka vjedhur mjetin dhe është larguar. Gjatë ndjekjes nga Policia, ky shtetas ka goditur një automjet policie.
27-vjeçari, i arrestuar është shtetas amerikan nga Ohio, i identifikuar si Anthony Rhodes, ish-ushtarak. Arrestimi i tij është bërë pasi gjatë natës më datë 19 tetor ka shkuar në një pikë karburanti në Yrshek me një automjet të vjedhur dhe të shpallur në kërkim nga komisariati i Policisë së Vorës dhe pasi ka furnizuar makinën më karburant është larguar pa kryer pagesën. Më pas, dy ditë më vonë po 27-vjeçari amerikan në rrugën dytësore të autostradës Tiranës i ka vjedhur automjetin një taksisti, ku 27-vjeçari amerikan ishte pasagjer. Gjatë ndjekjes nga Policia e Tiranës, 27-vjeçari me mjetin taksi që kishte vjedhur ka goditur edhe një nga makinat e policisë që po e ndiqnin. Kapja e 27-vjeçari është bërë e mundur vetëm në Elbasan, për neutralizimin fizik të tij policia ka hasur vështirësi për shkak të stërvitjes ushtarake që kishte i riu.