Policia e Shkodrës njofton se ka vënë në pranga një 29-vjeçar, i cili akuzohet se ka plagosur me armë zjarri disa ditë më parë një 28-vjeçar. Në pranga ka rënë shtetasi Edis Reçaj, banues në lagjen “Daniel Matlija”, Shkodër.
Po ashtu, në pranga ka rënë edhe pronari i hotelit ku strehohej i kërkuari nga policia. Bëhet fjalë për Gj. D., 59 vjeç, banues në Shkodër, i cili nuk ka kryer procedurat e nevojshme për regjistrimin dhe lëshimin e kuponit tatimor për shërbimin e ofruar në subjektin (hotelin) që administronte.
Njoftimi i Policisë Shkodër:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Perash”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”. Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të shtetasit E. R., 28 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 19.04.2022. Procedohet penalisht pronari i hotelit ku fshihej personi në kërkim. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një personi të shpallur në kërkim për plagosje me armë zjarri, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Perash”. Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi i personit të kërkuar, i cili fshihej në një hotel në lagjen “Mark Lula”. Shërbimet e Policisë kanë bërë kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit E. S., 29 vjeç, banues në lagjen “Daniel Matlija”, Shkodër. Ky shtetas dyshohet se më datë 19.04.2022, në lagjen Perash, ka plagosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin E. R., 28 vjeç banues në lagjen “Partizani”, Shkodër. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moslëshimi i kuponit tatimor”, shtetasi Gj. D., 59 vjeç, banues në Shkodër, pronari i hotelit në të cilin fshihej shtetasi E. S. Shtetasi D. Gj. nuk ka kryer procedurat e nevojshme për regjistrimin dhe lëshimin e kuponit tatimor për shërbimin e ofruar në subjektin (hotelin) që administronte. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.



