18 Janar
Ndonëse akoma nuk dihet konkretisht se për çfarë propozimesh është negociuar mbrëmë në Nju Jork mes ndërmjetësit të OKB-së dhe negociatorëve të Greqisë dhe Maqedonisë, ekspertët vlerësojnë pozitivisht sinjalet për zgjidhjen e kontestit. Ish ambasadori Nano Ruzhin, duke u referuar në deklaratën e Nimicit, se termi “Maqedoni” është i përfshirë në propozime, tha se me ndryshimin e emrit kushtetues, nuk do të cenohet identiteti.
Aspak nuk është kërcënim. Ne mbetemi ato që jemi. Identiteti është ndjenjë e përkatësisë në një bashkësi të caktuar, që ndan vlera të caktuara historike, kulturore, gjuhësore. Sido që të quhemi, asnjëri prej nesh nuk do të ndryshojë. Do të ndryshojë vetëm pozicioni ynë, në kuptim të anëtarësimit në BE dhe në NATO – deklaroi Nano Ruzhin, ish diplomat.
Deklaratën e negociatorit Vasko Naumovski se propozimet e ofruara nga Nimici janë larg zgjidhjes dinjitoze, Ruzhin e konsideron si gabim të madh diplomatik, për çka duhet revokuar.
Ambasadori Naumovski nuk i është përmbajtur instruksioneve të dhëna nga ana e Ministrit, Dimitrov dhe kryeministrit. Mendoj se i plotëson të gjitha kushtet që të revokohet nga ana e Qeverisë, për shkak se roli i një negociatori nuk është të interpretojë, por të negociojë. Nëse ka ndonjë pakënaqësi, atë mund ta thotë në një rreth të mbyllur ose t’ia shpreh mendimin Ministrisë së Jashtme dhe jo të mbajë konferencë para opinionit se ai nuk është pajtuar – theksoi Nano Ruzhin, ish diplomat.
Mbrëmë në Nju Jork, para selisë së OKB-së dhjetëra mërgimtarë maqedonas protestuan kundër ndërrimit të emrit kushtetues.
Anesa Saliu

