22 March 2018 / 15:52
Shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocijas dhe delegacioni grek pasdite pritet të bëjë aterrimin historik pas 12 vitesh në Shkup, pas riemërimit të Aeroportit. Kryediplomati grek do të ketë një darkë pune me homologun e tij maqedonas, ndërsa nesër do ta realizojë agjendën e takimeve me liderët shtetëror. Vizita, si intensifikim i negociatave për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar nxiti reagime të shumta në Greqi. Zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Canakopulos pa zbuluar detaje të propozim-marrëveshjeve të cilët janë shkëmbyer midis dy palëve ku përsëriti qëndrimin e palës greke për emër ‘erga omnes’.
Ajo që është kyçur në tekstin konkret është marrëveshje e cila bazohet në pozitën e përgjithshme të Qeverisë greke: emër i përbërë, i cili vlen për të gjitha përdorimet. Çfarë do të thotë për të gjitha? Për çdo rast është i nevojshëm rishikimi i Kushtetutës, d.m.th se do të duhet që ky emër të përdoret edhe në brendësi të shtetit fqinj – deklaroi Dimitris Canakopulos, Zëdhënës i Qeverisë greke.
Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos tha se zgjidhja e kontestit dhe çrrënjosja e irredentizmit është parakusht që Greqia ta mbështesë integrimin e Shkupit në BE. Reagime pati edhe nga opozita greke. Ajo insiston edhe për ndryshim të librave. Ambasadori amerikan në Greqi, Xhefri Pejët ndërkaq inkurajoi palët të shfrytëzojnë mundësinë për ta mbyllur kontestin shumëvjeçar me mbështetjen amerikane.
Duam të bëjmë gjithçka që të mbështesim përpjekjet e tij. Jemi shumë të interesuar të shohim dy palët të përparojnë në këtë dritare të mundësive. Mënyra më e mire për ta mbështetur Nimicin, këtë diplomaci është të mos flasim a spekulojmë se si rrjedhin bisedimet, se tani është dritarja e mundësive që të lihet pas nesh ky problem, në një mënyrë që është e mire për qytetarët e Greqisë, ato të Shkupit si dhe për gjithë rajonin – deklaroi Xhefri Pajët, ambasador i SHBA-ve në Greqi .
Ndonëse zyrtarisht akoma nuk janë zbuluar detaje nga propozim-marrëveshjet e shkëmbyera midis dy palëve që i parapriu vizitës në fjalë, mediat greke shkruajnë se shtatë pikat e propozimit grek janë: emri, përdorimi i emrit, gjuha, identiteti, përdorimi tregtar, akronimet dhe shkurtesat. Ndërsa kërkesa e Greqisë për ndryshimin e Kushtetutës maqedonase, spektri i përdorimit të emrit të ri dhe identiteti sipas tyre, janë pikat për të cilat dy palët kanë qëndrime të ndryshme.
Anesa Salihu

