Lidhur me shpërthimin me tritol në një biznes në Theth, është identifikuar autori i ngjarjes, Frederik Paplekaj, i cili vendosi lëndën shpërthyese tek dera e subjektit.
Arrestimi i tij u bë pas tre orësh, në Qafë Thore.
Rreth orës 01:30, ai u paraqit në biznesin e shtetasve Ç.Berisha dhe A.Berisha, duke lënë tritolin tek dera e biznesit. Shpërthimi i lëndës plasëse solli dëme materiale të shumta.
Gjithçka është kapur nga kamerat e sigurisë nga kjo ngjarje, që nga momenti i mbërritjes së 39 vjeçarit, tek vendosja e tritolit, largimi i tij nga vendngjarja si dhe shpërthimi i lëndës plasëse.
Sakaq, ende nuk dihet arsyeja përse 39 vjeçari vendosi lëndën eksplozive në biznes.
Paplekaj akuzohet për dy vepra penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
Vendosi lëndë plasëse në derën e një marketi në fshatin Theth, falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta e profesionale të kryera nga Policia, pas tre orësh pas ngjarjes identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Kapja e tij u bë në kushte të vështira si pasojë e reshjeve të dëborës.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin “Theth”, në derën e marketit së shtetasve Ç. B., dhe A.B., është hedhur një sasi e vogël, lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta profesionale kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen në Qafë Thore dhe shoqërimin në Komisariat të shtetasit F. P., 39 vjeç.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 39 vjeçarit për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.