Kryetari i komunës së Porcarit në Itali, Leonardo Fornaciari ka bërë publik emrat e 4 anëtarëve të familjes shqiptare, të cilët humbën jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit në banesën e tyre.
Sipas tij, bëhet fjalë për familjen Kola, e cila u shua në mënyrë tragjike mbrëmjen e djeshme (4 shkurt).
Ai thotë se viktimat janë babai Arti Kola, nëna Jonida dhe dy fëmijët Hajdari 22 vjeç dhe Xhesika 15 vjeç.
“Jemi të gjithë të mërzitur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje tragjike që më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, madje edhe atë që ndodhi në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë, qëndron i bashkuar rreth të afërmve dhe miqve në një përqafim ideal për këtë zi të rëndë që ka prekur Porcarin. U prehshin në paqe”, shkruan Fornaciari.

NGJARJA
ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës (4 shkurt) në rrethana ende të paqarta, ndërsa ka dyshime se rrjedhja është shkaktuar nga një defekt në kaldajën e banesës së tyre.
Viktimat janë babai 48 vjeç, nëna 43 vjeçe dhe dy fëmijët, përkatësisht 22 dhe 15 vjeç, por ende nuk kanë identifikuar. Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit raportohet se ka mbetur i lënduar dhe ndodhet në spital.
Po ashtu edhe dy karabinierë, të cilët mbërritën në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, pësuan një intoksikim të lehtë, por janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas autoriteteve, tragjedia ka ndodhur rreth orarit të darkës. Gjatë hyrjes në banesë, ekipet e shpëtimit kanë gjetur tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë.
Alarmin e ka dhënë pikërisht vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën asnjë përgjigje pas trokitjeve të shumta, ata u detyruan të thyejnë derën.
Brenda banesës, forcat e rendit u përballën me një skenë dramatike, katër trupa të pajetë të shtrirë në dysheme. Pak çaste më vonë, edhe familjari i pestë humbi ndjenjat për shkak të monoksidit të karbonit, nën sytë e karabinierëve, të cilët arritën të dalin në kohë nga banesa dhe të japin alarmin. Ai u transportua me urgjencë në spitalin e Cisanellos.


