Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka organizuar një super-aksion për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, kryesisht në fushën e narkotikëve, teksa ka lëshuar 42 urdhër arreste.
Sipas Prokurorisë së Posaçme gjatë hetimit 3 vjeçar, është provuar veprimtaria e kundraligjshme e pesë grupeve të strukturuara kriminale. SPAK, sqaron se janë evidentuar 13 episode kriminale të trafikimit të narkotikëve, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe kultivimit të bimëve narkotike në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë, gjatë periudhës mars – nëntor 2020.
Në qytetin e Vlorës, janë prerë 8 urdhër-arreste, ndërsa deri tani janë 6 të arrestuar. Një nga personat nuk u gjet në banesë, një tjetër ishte arrestuar më herët. Ky aksioni është zhvilluar në orën 4-5 të mëngjesit nëpër shtëpia. Personat e arrestuar të përfshirë në trafikun e narkotikëve në Belgjikë e Itali.
ROLI I POLICËVE TË ARRESTUAR NË FUNKSIONIMIN E GRUPIT KRIMINAL:
Gjatë operacionit janë arrestuar edhe dy punonjës policie, Fejzo Meçaj me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë, Tepelenë dhe Adriatik Logli me detyrë punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë, Gjirokastër.
Gjatë hetimeve është zbuluar se Fejzo Meçaj me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë, Tepelenë dhe Adriatik Logli me detyrë punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë, Gjirokastër, kanë ndihmuar bandat, duke i siguruar aktivitetin dhe mungesën e ndërhyrjes nga forcat e rendit.
ARRESTIME EDHE NË ELBASAN, BIEN NË PRANGA 4 PERSONA:
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka zgjeruar operacionin BLIC edhe në qytetin e Elbasanit. Pas arrestimeve në Vlorë, Tiranë, Durrës dhe Lezhë, në Elbasan kanë përfunduar në pranga 4 persona, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal.
Të arrestuarit janë identifikuar si: Redi Rami, Erald Filja, Olsi Meçanaj dhe Renaldo Raga.
Njoftimi i Policisë së Elbasanit:
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Cërrik 2022”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Operacioni nga strukturat hetimore e operacionale të DVP Elbasan dhe Komisariati i Policisë Cërrik, në bashkëpunin me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH. Sekuestrohen 4 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, e ndarë në doza, një sasi parash dhe sende të tjera të jashtëligjshme. Vihen në pranga 4 shtetasit që i posedonin.
Nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve dhe të Sektorit për Shërbime të Specializuara në DVP Elbasan, si dhe shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Cërrik, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, pas një punë hetimore disamujore, është finalizuar operacioni policor i koduar “Cërrik 2022”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-R. R., 32 vjeç, E. F., 35 vjeç dhe O. M., 46 vjeç, të tre banues në Cërrik dhe R. R., 27 vjeç banues në fshatin Valas.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në banesat e tyre, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
4 armë zjarri pistoleta, një sasi fishekësh, lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, e ndarë në doza gati për shitje, 1 përforcues grushti, një sasi parash dhe 5 aparate celulare.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, merreshin me aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike dhe të armëve të zjarrit. Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” të kryera në bashkëpunim.
NJOFTIMI I PLOTË I SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka kryer hetime proaktive në kuadër të procedimit penal nr.130 të vitit 2019. Në këtë procedim penal janë hetuar shumë episode dhe një numër i madh personash të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikeve”, “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Kultivimit të bimëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 283, 248, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Gjatë hetimit proaktiv 3 (tre) vjeçar, është provuar veprimtaria e kundraligjshme e 5 (pesë) grupeve të strukturuara kriminale. Janë evidentuar 13 (trembëdhjetë) episode kriminale të trafikimit të narkotikëve, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe kultivimit të bimëve narkotike në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë, gjatë periudhës mars – nëntor 2020.
Pas analizimit dhe vlerësimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal nga Prokuroria e Posaçme, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i është drejtuar kërkesa për caktimin e masave të sigurimit. Gjykata me vendimin nr.16 datë 08.03.2022 ka vendosur:
caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale, për 42 (dyzetedy) shtetas;
caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K. Pr. Penale për 1 (një) shtetas;
caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K. Pr. Penale, për 1 (një) shtetase.
Gjatë hetimeve ka rezultuar se shtetasit Fejzo Meçaj me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë, Tepelenë dhe Adriatik Logli me detyrë punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë, Gjirokastër, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Për këta shtetas është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale.
Më datë 10.03.2022 nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është bërë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës nr.16 datë 08.03.2022, për caktimin e masave të sigurimit.





