Emblema e Policisë së Maqedonisë së Veriut do të jetë edhe në gjuhën shqipe vetëm për shërbimet në nivel lokal, ku gjuhë zyrtare është shqipja.
Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski tha se sipas dekretit të miratuar së fundmi nga Qeveria, emblema nuk do të jenë dygjuhëshe në nivel shtetëror.
“Bëhet fjalë për përdorim në nivel lokal, pra për emblemat e uniformave në nivel lokal në qytetet ku gjuhë zyrtare është gjuha shqipe. Ndërsa, në shërbimet qendrore të cilat janë të shtrira në tërë shtetin, nuk ka asnjë ndryshim në pjesën e uniformave, njëjtë edhe ne Njësitin e Tigrave”, tha Spasovski.
Ai shtoi se për realizim është lënë një periudhë prej një viti sepse ka procedurë për shpenzimin e parave buxhetore.
“Ka procedura për shpenzimin e mjeteve financiare. Nuk mund të hyhet në market dhe të blihet diçka menjëherë, por duhet të zhvillohen procedura, tender, furnizime publike, dhe për këtë shkak mbetet kjo periudhë, që të kemi mundësi të përgatitemi dhe më pas t’i aktivizojmë”, tha ministri Spasovski.
Vendimi për uniformat e Policisë në Maqedoninë e Veriut do të jenë edhe në gjuhën shqipe, në komunat ku mbi 20 për qind e popullsisë është shqiptare.
Vendimi është miratuar në bazë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, thuhet në njoftimin e Qeverisë, të publikuar të martën.