Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ILECU, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, të mërkurën ka bërë ekstradimin e shtetasit F.V., nga Italia për në Kosovë.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet italiane, pasi që i njëjti kërkohej me urdhër ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprat penale ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’ dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.
Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit në mes të institucioneve të R. Kosovës dhe atyre italiane.
I dyshuari pas ekstradimit, iu është dorëzuar njësiteve përkatëse të Policisë, për procedurat tjera ligjore.
“Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, njofton Policia./Klankosova.tv


