Ndryshimet në ligjin për nëpunës administrativ, që mundësojnë më shumë fleksibilitet në procesin e sistemimit të tyre dhe kalimin në nëpunës publik nuk nënkuptojnë ndryshim të llojit të punës së tyre, gjegjësisht transformim të pozitës, vlerëson profesori Dragan Gocevski. Sipas tij, një gjë e tillë ligjërisht krijon përplasje.
Nga njëri institucion në tjetrin mund të transformohen vetëm nga statusi i nëpunësit administrativ shtetëror, në statusin e një lloji tjetër të nëpunësit administrativ ose nëpunësit publik. Në statusin e dhënies së shërbimeve publike, shembull, nga nëpunës shtetëror, t’i ndryshohet vendi i punës në mjek, ose mësimdhënës, ose defektolog, sipas interpretimit tim për këtë ligj, nuk mundet. Kjo do të ishte si të luaje lojë me sistemin tonë të drejtësisë – deklaroi profesori Dragan Gocevski.
Megjithatë nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës vlerësojnë se këto ndryshime, u mundësojnë administratorëve të angazhuar por që nuk kanë vend pune, varësisht përgatitjes së tyre profesionale, të punësohen në të gjithë institucionet e vendit dhe jo vetëm si administratorë por si dhënës të shërbimeve publike. Ministri Damjan Mançevski, për Alsat deklaroi se gjatë përmbushjes së nevojave të institucioneve për punësim, ata do të kenë përparësi.
Është fakt se ata tashmë janë këtu dhe janë të punësuar. Nuk mund t’i krahasojmë me njerëz që janë “jashtë”. Këto janë njerëz që tashmë janë në administratë, janë të punësuar, marrin rrogë. Duhet t’u jepet angazhim për ta arsyetuar rrogën që marrin. Kështu që nuk mund të bëhet krahasim me dikë që fillimisht duhet të aplikojë për të punuar në administratë – tha Damjan Mançevski, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Sipas profesorit Gocevski, kjo bie ndesh me të drejtën e qytetarëve për qasje deri te konkursi publik.
Punësim nëpërmjet konkursit publik nënkupton hapje e tregut, garë e lirë për të gjithë ata që i plotësojnë kushtet për punësim. Kjo vetë në vete nuk lejon që t’u jepet, të paktën para të drejtës së barabartë para ligjit, prioritet i veçantë atyre tashmë të punësuarve – theksoi profesori Dragan Gocevski.
Ministri Mançevski e pranon se punësimet masive nga Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në të kaluarën kanë qenë strategji e keqe për arritjen e përfaqësimit të barabartë, por procedura e sistemimit duhet të vazhdojë.
Po, mendoj se ka qenë strategji e keqe. Ndoshta synimet kanë qenë të sinqerta për rritjen e përqindjes së përfaqësimit të bashkësive etnike nëpër institucione… Në një numër serioz të institucioneve kemi përfaqësim jo të drejtë – u shpreh Damjan Mançevski, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Aktualisht janë rreth 1700 persona të angazhuar nga Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të cilët me vite marrin rrogë duke mos pasur një vend pune.
Fatlume Dervishi

