13 April
Përveç zbrazëtirave juridike dhe kërcënimeve nga VMRO-DPMNE-ja, shumicës së re parlamentare u mungojnë edhe idetë inventive për dalje nga ngërçi i krijuar në Kuvend. Ishin këto disa nga idetë e ekspertëve në debatin e “Rruga drejt…” në Alsat. Nikolla Dujovski vlerëson se koha po shkel partitë e shumicës, sidomos për shkak se rrezikojnë humbjen e mbështetjes së votuesve nga dëshpërimi.
Për këtë janë të nevojshme kontakte më të shpeshta mes LSDM-së dhe partive shqiptare që bëjnë shumicën. Të mos ndodhë që ajo shumicë të mos ketë edhe më tej mbështetjen e opinionit. Tani për tani LSDM-ja dhe partitë shqiptare mund të llogarisin në 700 mijë votat që qëndrojnë pas tyre megjithatë siç kalon koha, dhe besoj se kjo është edhe arsyeja e obstruksioneve, ajo mbështetje bie sepse qytetarët votuan për ndryshime – tha profesori Nikolla Dujovski.
Duke komentuar rolin e VMRO-DPMNE-së, profesoresha Fatmire Lumani vlerëson se duhen ndryshime ligjore të cilat do të obligonin deputetët të mbajnë përgjegjësi para votuesve për pengimin e punës së institucioneve demokratike.
Në këtë rast kemi një “grevë politike” nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së që për të arritur synimet e tyre politike bëjnë obstrukcione të punës, të detyrave të cilat i kanë. Në republikën e Maqedonisë mungon një ligj i veçanta, apo edhe në vetë ligjin për Marrëdhënie pune që është kompetent për raste të tilla, që do të mbrojë edhe votuesin, qytetarin i cili i ka dhënë votën një deputeti i cili nuk e kryen punën siç duhet – u shpreh profesoresha Fatmire Lumani.
Për ish deputetin Muhamed Halili, kërcënimet e VMRO-DPMNE-së për ndërmarrjen e masave rigoroze në rast të zgjedhjes të kryeparlamentarit të ri me forcë, nuk duhet të shqetësojnë shumicën e re, sepse ata mund të ndëshkohen edhe nga institucionet ndërkombëtare.
Përfaqësues të VMRO-DPMNE-së deklarojnë se ne do të marrim masa dhe nuk do ta lejojmë mënyrën tjetër të konstituimit të Kuvendit. Po qe se si rezultat i asaj ndodhin gjëra që do të kenë pasoja në sigurinë e vendit padyshim se bashkësia ndërkombëtare mund të ndodhë që të ngrejë ndonjë gjykatë ndërkombëtare siç ishte rasti me Gjykatën e Hagës – deklaroi Muhamed Halili, ish deputet.
Ekspertët kritikuan qëndrimet e presidentit Gjorge Ivanov të cilat, sipas tyre, kanë thelluar seriozisht krizën politike dhe vlerësojnë se edhe në rast të formimit të Qeverisë së re, vendit do t’i duhet kohë për rikthimin e demokracisë në institucione.
Fatlume Dervishi

