25 Janar
Ekspertët janë optimistë se çështja e emrit do të zgjidhet shumë shpejtë. Profesori universitar, Blerim Reka vlerëson se intensifikimi i takimeve është sinjal se bashkësia ndërkombëtare u bën presion dy shteteve për ta tejkaluar këtë pengesë të fundit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
Takimi i Davosit shpresoj se hapi një faqe të re drejt përfundimit të negociatave maratonike dhe asimetrike midis këtyre dy vendeve. Dhe vetë fakti se takimi ishte tet-a-tet dhe i mbyllur për më se tre orë, dëshmon se nuk ishte takim për të biseduar vetëm sa për të biseduar, por më tepër lë përshtypjen e një takimi serioz që do të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate për çështjen e emrit. Kjo ngase, besoj se të gjithë pajtohemi se kontesti shumëvjeçar midis Greqisë dhe Maqedonisë për Çështjen e Emrit nuk është vetëm i pastër bilateral. Moszgjidhja e tij mund të ketë edhe. implikime më të gjera gjeopolitike – u shpreh Blerim Reka, profesor universitar.
Profesori universitar, Mitko Gaxhovski vlerëson se të dyja palët do të gjejnë zgjidhje të përbashkët pa pasur nevojë të ndryshohet Kushtetuta e vendit tonë dhe me këtë emër do të anëtarësohet në NATO.
Mendoj se do të gjendet zgjidhje për emrin dhe me atë emër ne do të bëhemi anëtare e NATOs. Negociatat janë në fazën përfundimtare. Mendoj se po negociohen disa detaje, të cilat do të jenë të rëndësishme për funksionimin e mëtejmë të Maqedonisë në bashkësinë ndërkombëtare. Vlerësoj se Maqedonia do të bëhet vend anëtar në NATO për një periudhë shumë të shpejtë kohore, me emër që do të jetë i pranueshëm edhe për Maqedoninë edhe për Greqinë. Nuk mendoj se do të jetë IRJM – theksoi Mitko Gaxhovski, profesor universitar.
Optimizmin, ekspertët e mbështesin në bindjen se Cipras nuk është në gjendje të injorojë përkrahjen politike të NATOs e as përkrahjen ekonomike të BE-së.
Anesa Salihi

