Zgjedhja dhe avancimi i gjykatësve duhet të bëhet në mënyrë më transparente, ndërsa qytetarët duhet të jenë më të informuar me punën e gjykatave, vlerësojnë ekspertët.
Sipas tyre, transparenca dhe informimi i duhur do të ndikonte në rritjen e besimit të qytetarëve te institucionet gjyqësore. Këtë vlerësim ekspertja juridike, Margarita Caca – Nikollovska, e bëri gjatë shpalosjes së raportit nga Instituti për realizimin e të drejtave të njeriut në kuadër të projektit “Mbikëqyrja publike mbi punën e Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë”.
Ajo tha se Këshilli gjyqësor bën zgjedhjen e gjykatësve të shkallës së parë vetëm nga lista e dhënë nga Akademia e gjykatësve dhe prokurorëve, për të cilën listë ajo tha se është mjaft diskutabile nëse shihen notat dhe vet notimi i prokurorëve.
“Në përgjithësi mund të them se ekzistojnë probleme të caktuara, mënyra selektive është vërejtur, megjithatë ajo që është me rëndësi në këtë situatë është se nuk ka argumente të prezantuara nga Këshilli gjyqësor, të cilat në mënyrë plotësuese do të vlerësoheshin nga publiku. Prezantimi publik nga ky organ mungon, shumë njerëz nuk e dinë mënyrën e zgjedhjes së gjykatave, nuk e dinë ekzistimin e Këshillit gjyqësor dhe kjo tregon për jotransparencën dhe joefikasitetin në punën e tyre”,– deklaroi ekspertja juridike, Margarita Caca – Nikollovska.
Edhe gjykatësi në Gjykatën Supreme të Kroacisë, Ranko Marian, thekson se institucionet gjyqësore janë ato që duhet të jetësojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të parapara në Kushtetutë.
“Të drejtat dhe liritë themelore të njërit që mbështetën në Kushtetutë, ligje dhe konventa ndërkombëtare janë fjalë e vdekur në letër nëse institucionet gjyqësore nuk janë të afta, të përgjegjshme dhe eksperte që t’i realizojnë këto të drejta”,– theksoi gjykatësi në Gjykatën Supreme të Kroacisë, Ranko Marian.