Rusia, Kina dhe Irani, gjithnjë e më shumë po krijojnë një aleancë strategjike të leverdisë, me të cilën politikanët amerikan duhet të përballen, pasi ajo synon të prishë rendin botëror, sipas një grupi ekspertësh amerikanë dhe ish-zyrtarësh.
Duke folur më 10 qershor në konferencën për sigurinë kombëtare të titulluar: “Kundërshtarët e Amerikës: Realiteti rus”, të organizuar nga Forumi i Pavarur i Grave, shumë prej panelistëve theksuan se përfitimet transaksionale të kësaj aleance tashmë po sjellin përfitime të rëndësishme strategjike, veçanërisht për regjimin iranian, i cili ndryshe është i izoluar në arenën ndërkombëtare.
Të nxitura nga kundërshtimi i përbashkët ndaj dominimit amerikan, këto tri shtete po koordinohen në aspektin diplomatik, po integrojnë bashkëpunimin e tyre ushtarak dhe po punojnë për të gjetur mënyra për t’iu shmangur sanksioneve perëndimore.
“Pyetja është nëse kemi të bëjmë me një strategji përçarjeje, një aleancë të leverdisë taktike apo oportunizëm, apo nëse kjo është e projektuar për të krijuar një grup tjetër rezultatesh strategjike sa i përket rendit global”, tha Nadia Schadlow, studiuese e lartë në Institutin Hudson dhe ish-zëvendëskëshilltare për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Për t’ia ndalur vrullin këtij boshti, ajo tha se Uashingtoni duhet të ndalojë së trajtuari Rusinë, Kinën dhe Iranin si teatro të ndara rajonale dhe në vend të kësaj, të gjejë mënyra kreative për të krijuar përçarje në bashkëpunimin e tyre.
“Ne duhet ta bëjmë raportin e tyre sa më të vështirë të jetë e mundur”, tha Schadlow.
Rusia, Kina dhe Irani nuk janë të lidhur nga një traktat formal trepalësh i mbrojtjes së ndërsjellë, por interesat e tyre janë afruar vitet e fundit përmes konflikteve.
Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, sanksionet globale janë shtrënguar si një lak rreth ekonomisë së saj, duke e detyruar të forcojë lidhjet kudo që mundet.
Ngjashëm, Irani ka qenë për vite me radhë nën sanksione të ashpra, dhe edhe më shumë që nga momenti kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj tij më 28 shkurt.
Përtej mbijetesës së brendshme, kjo sinergji autoritare po krijon një cikël të rrezikshëm reagimi në fushëbetejë, tha Ilan Berman, nënkryetar i Këshillit Amerikan për Politikë të Jashtme.
Berman, i cili është po ashtu anëtar i bordit të Radios Evropa e Lirë, shtoi se, teksa Irani ka furnizuar me valë municionesh për dronë për të mbështetur luftën e Rusisë në Ukrainë, agjencitë perëndimore të inteligjencës druajnë se të dhënat luftarake të mbledhura në territorin evropian së shpejti do të kthehen mbrapsht, duke e bërë arsenalin e brendshëm të Iranit dukshëm më vdekjeprurës.
“Problemi me Iranin nuk është thjesht problemi me Iranin. Është një problem Iran-Rusi-Kinë”, argumentoi Berman, duke shpjeguar se Moska dhe Kina i kanë ofruar Teheranit një linjë jetike ekonomike dhe teknologjike për të përballuar si trazirat e brendshme, ashtu edhe sanksionet e ashpra ndërkombëtare.
Megjithatë, disa pjesëmarrës në panel theksuan se ndonëse bashkëpunimi po zgjerohet, raportet mes Moskës, Pekinit dhe Teheranit në thelb mbeten transaksionale.
Ose, siç e përshkroi kongresisti Pat Harrigan, republikan nga Karolina e Veriut dhe ish-oficer i Forcave Speciale të Ushtrisë amerikane, ky afrim është më shumë një martesë e leverdishme.
“Kur ndalon së qeni reciprokisht e dobishme, edhe ato veprime ndalen”, tha Harrigan, duke sugjeruar se partneriteti nxitet nga interesa të përbashkëta të menjëhershme, dhe jo nga një vëllazëri afatgjatë strategjike.
Megjithatë, këto përfitime transaksionale tashmë po sjellin dividentë të rëndësishëm strategjikë, veçanërisht për një regjim iranian të izoluar.
Berman, për shembull, vë në pah se gjatë protestave kundër Qeverisë në fillim të vitit, Pekini dhe Moska i ofruan regjimit iranian një mburojë digjitale që i nevojitej për të shtypur disidencën e brendshme. Shtypja e protestave la mijëra protestues të vrarë.
Ndërkohë, Irani ka furnizuar Rusinë me valë municionesh për të mbështetur luftën e saj në Ukrainë dhe agjencitë perëndimore të inteligjencës druajnë se të dhënat luftarake të mbledhura në territorin evropian së shpejti do të kthehen në Iran, duke e bërë arsenalin e tij vendas dukshëm më vdekjeprurës.
Ndihma financiare e Kinës
Ky shkëmbim ushtarak mbështetet tërësisht nga përkrahja financiare e Pekinit, i cili vepron si garantuesi kryesor i mbijetesës së regjimit.
“Rreth 90 për qind e eksporteve të naftës së Iranit shkojnë në një vend të vetëm, në Kinë”, tha Berman, duke thënë qartazi se pa blerjet kineze dhe mbështetjen diplomatike e ushtarake të Rusisë, “Irani thjesht nuk do të ishte financiarisht i qëndrueshëm”.
Daniel Hoffman, ish-shef i stacionit të CIA-s në Moskë, tha se ndikimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës shtrihet shumë përtej kufijve të saj dhe deri në vijat e frontit të një konfrontim më të gjerë sistematik ndërmjet normave demokratike dhe ringjalljes së autoritarizmit.
“Tani Ukraina ndodhet në vijën gjeopolitike të ndarjes mes diktaturës dhe demokracisë”, tha Hoffman.
Sipas analizës së Hoffmanit, agresioni i presidentit rus, Vladimir Putin, nxitet më pak nga ambiciet territoriale dhe më shumë nga një frikë ekzistenciale se demokracia mund të përhapet pranë kufijve të shtetit të tij, Rusisë.
“Ajo që e frikëson më së shumti Vladimir Putinin është demokracia”, tha Hoffman, duke përshkruar një “bosht të diktaturave” të kristalizuar së fundi, të përbërë nga Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, të gjithë të bashkuar nga një objektiv i vetëm: zvogëlimi sistematik i ndikimit global të SHBA-së.
Hoffman shtoi se retorika e vazhdueshme e Moskës në favor të një “bote multipolare” është thjesht një tymnajë diplomatike e krijuar për të legjitimuar sferat e ndikimit.
“Ajo që ata duan në të vërtetë është liria për t’i pushtuar fqinjët e tyre dhe për t’i nënshtruar ata brenda sferave të ndikimit”, tha ai.
Sipas tij, ndërsa teksa po rritet, hezitimi është gjëja e fundit që Perëndimi mund t’ia lejojë vetes, pasi kjo do t’i jepte këtij boshti hapësirën e nevojshme për t’u forcuar.
“Kur ne dërgojmë kapacitete ushtarake në teatër në mënyrë të copëzuar, kur futemi me kujdes të tepruar në një konflikt dhe fillojmë të prezantojmë aftësi një nga një, në fakt krijojmë ekuivalentin ushtarak të rezistencës ndaj antibiotikëve në ushtrinë ruse”, tha Harrigan.
Ngjashëm, Schadlow argumentoi se koha e menaxhimit reaktiv, krizë pas krize, ka kaluar dhe se politikanët amerikanë duhet të rikthehen te parandalimi i fuqishëm dhe demonstrimet e qarta e të padiskutueshme të forcës.
Teksa Uashingtoni po shqyrton hapat e tij të ardhshëm strategjikë, Berman theksoi se njohja e këtij ekosistemi të ndërlidhur kundërshtarësh është parakusht për çdo strategji efektive të frenimit.
“Sa më shpejt ta kuptojmë këtë”, tha Berman, “aq më shpejt mund ta shpërndajmë presionin në mënyrën e duhur”. / REL


