Dita – ditës publikohen lajme të ndryshme në vigjilje të formimit të qeverisë së re ne RMV, raporton Almakos.
“Pas vendosjes së parimeve dhe mënyrës së funksionimit të koalicionit, LSDM dhe BDI po punojnë në harmonizimin e programeve zgjedhore të të dy palëve në një program pune të Qeverisë eventuale të ardhshme. Përmes komunikatës së përbashkët, partitë konfirmojnë gjithashtu se kanë filluar edhe procesin e rishikimit të ndarjes së përgjegjësive në koalicionin e ardhshëm, si dhe propozimet për siç theksojnë drejtues të përshtatshëm, të përgatitur, të ndershëm dhe të aftë, që do të jenë në gjendje të zbatojnë plotësisht programin në një afat katër vjeçar” thuhet në komunikatën e sotme për media nga LSDM- BDI.
Ndërkaq, Almakos ekskluzivisht nga burimet e palëve të përfshira në bisedime mes këtyre dy partive mëson se BDI është duke e lutur LSDM-në, që të paktën ta merr “kryeministrin shqiptar” në qeverinë teknike, edhe pse pa kompetenca vendimarrëse ligjore për 3 muaj, në fund të mandatit qeverisës. Nuk dihet nëse ky propozim do të pranohet nga Zoran Zaev.
Ndryshe, VMRO-DPMNE-ja opozitare, e cila i ka ngrirë marrëdhëniet me shefin e shtetit prejse ai vendosi t’ia dorëzojë mandatin për formim të Qeverisë kryetarit të LSDM-së Zaev, pa treguar dëshmi për shumicë në Parlament, paralajmëroi se në periudhën e ardhshme të gjitha opsionet janë të hapura dhe se do ta ndjekin periudhën e negociatave të cilën do ta udhëheqin partitë politike.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kumtoi se përfaqësuesit e tyre nuk kanë pasur takime për pjesëmarrje në qeverinë e re dhe se nuk do të negociojnë derisa BDI -ja nuk e shterron të drejtën të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme, përkatësisht të bëhet opozitë. Për to, BDI-ja është legale, por jo fitues legjitim i zgjedhjeve te partitë politike shqiptare.
“Edhe pse ne jemi fitues legjitim në zgjedhjet më 15 korrik në kampin politik shqiptar, ne nuk do të hyjmë në negociata, derisa BDI-ja nuk e plotëson premtimin parazgjedhor që kryeministër të bëhet Naser Ziberi. Madje siç thamë, nëse në Kuvend, vjen propozimi Naser Ziberi të bëhet kryeministër, ne me 12 deputetët tanë do të votojmë për të. Por nëse BDI-ja nuk arrin ta realizojë këtë premtim, për çka ka legalitet, ajo parti nuk ka të drejtë të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme dhe vendi i saj është në opozitë”, theksoi në konferencën për shtyp Skender Zeid Rexhepi, sekretar i përgjithshëm i Alternativës./Almakos