Shkruan: Xhevdet Pozhari
Shpeshhere themi se të rinjtë janë e ardhmja, se atyre iu takon si trashëgimi ajo që mbjellim sot që ata të njëjtën ta përcellin tek brezat që do të vinë. Këtu zë fill edhe ngjizja e hipokrizisë sepse në fakt sado përkrahës dhe motivues që përpiqemi të shfaqemi për iniciativat rinore në të vërtetë duam që të përfitojmë në emër të kësaj maksime. Kjo ndodhi edhe me të rinjtë e shoqatës “Eco Guerilla” të cilët i shkaktuan jo pak kokëçarje të parës së Komunës së Tetovës, Teuta Arifit. Për më tepër, me sensibilizimin e opinionit ata zgjuan edhe revoltën e tetovarëve që u derdh si lumë në rrugët e qytetit më të ndotur në Evropë. Kërkesat e tetovarëve ishin të prera dhe shumë legjitime: “Duam ajr të pastër”, “Ndale helmimin”. Dhe nuk zgjati shumë kur pushteti në Maqedoni, më saktë Bashkimi Demokratik për Integrim filloi ta helmojë opinionin me dezinformata për këta të rinj që ishin zë i fuqishëm i mbrojtjes së mjedisit në Tetovë. Këta të rinj u bënë cak i sulmeve nga ana e pushtetit vetëm pse nuk pranuan asnjë kompromis kur bëhej fjalë për interesin e përgjithshëm qytetar, për shëndetin e tetovarëve.
Për ata që nuk e dinë, kombinati metalurgjik “Jugohrom” për shkak të mosrespektimit të standardeve dhe vendosjes së filtrave është shndërruar në shkaktarin kryesor të vdekjeve të tetovarëve nga sëmundjet respiratore. Për ata që nuk kanë pasur mundësi t’i ndjekin nga afër zhvillimet në këtë Komunë të banuar kryesisht nga shqiptarët, ishte pikërisht BDI, partia shqiptare në pushtet që udhëhiqte me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e cila lejoi që puna e këtij ndotësi të ambientit të vazhdojë pa u vendosur filtrat për ndotës. Dhe më të zëshmit për ta ndaluar këtë katrahurë mjedisore ishin pikërisht një grup të rinjësh të mobilizuar me emrin “Eco Guerrilla” që kishin qëllimin e vetëm, detyrimin e qeverisë që t’i ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e jetës së qytetarëve të Tetovës, qytet ky ku është shënuar rritje enorme e aborteve për të cilat, mjekët thonë, se ndikim të madh kanë grimcat PM10 që lirohen nga fabrika “Jugohrom”
Me një fjalë, BDI e pafuqishme për të parandaluar helmimin e qytetarëve që janë edhe votues të saj, ndërmorri veprimin më të ultë – sulmoi këta të rinj përmes paçavureve që prej moti janë në shërbim të pushtetit dhe detyrë të vetme e kanë helmimin e opinionit me propagandë.
Andaj, përgjigjja e vetme për e shqiptarëve për përfaqësuesit e tyre politik në pushtet do të duhej të ishte: “Ne të gjithë jemi Eco Guerrila” për aq kohë sa ju, BDI, lejoni që VMRO – DPMNE ta helmojë Tetovën vetëm pse aty në përqindje të madhe jetojnë shqiptarët. “Ne të gjithë jemi Eco Guerrilla” për aq kohë sa preokupimi i vetëm i BDI – së mbetet shpëtimi i përfaqësuesve të saj të lartë nga aferat korruptive.