Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se ai pret që gjendja e jashtëzakonshme në Serbi të hiqet më 7 maj.
Ai i tha TV Pink se së bashku me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq do të marrin një vlerësim për këtë çështje nga ministria e Mbrojtjes, pasi ashtu e kërkojnë procedurat.
“Pastaj vjen vendimi i Qeverisë së Serbisë, dhe me nënshkrimin tim dhe kryeministres Bërnabiq, ne e dërgojmë çështjen në Kuvend”, tha Vuçiq.
Ai tha se dy kushtet për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme janë përmbushur.
“Njëri kusht është ulja nën pesë për qind e personave pozitiv me COVID-19 për shtatë ditë rresht dhe tjetri – dukshëm më pak njerëz në respirator”, tha Vuçiq.
Serbia e kishte vendosur gjendjen e jashtëzakonshme më 16 mars.
Epidemiologu, Predrag Kon, tha se pasi të hiqet gjendja e jashtëzakonshme, do të ishte përgjegjësia e njerëzve që të parandalojnë përhapjen e koronavirusit.
Në Serbi gjatë 24 orëve të fundit, katër persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit të ri, duke rritur numrin e përgjithshëm të viktimave në 193, njoftoi Shtabi i Krizës i formuar nga qeveria serbe.
Autoritetet shëndetësore kanë testuar 5,274 individë, 102 prej të cilëve kanë dalë pozitiv në COVID-19.
Sipas zyrtarëve, shkalla e vdekshmërisë është 2.04 për qind.
Në Serbi deri më tani janë regjistruar 9,464 raste me COVID-19. /Rel/