Nga Sokrat Shyti
Pjesa e parë
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Po kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Ishte koha kur Lufta e Dytë Botërore kishte shtrirë metastazat e saj deri në kufirin lindor të Evropës, me shtetin më të madh komunist, Bashkimin Sovjetik, dhe po përgatitej mësymja më e egër dhe më e përgjakshme në tërë historinë botërore, që do të flijonte dhjetëra miliona viktima të pafajshme në kontinentin e vjetër, sepse kombin gjerman e kishin ngërthyer krizat e çmendurisë së tërbimit pas leximit të librit “Mein Kampf” dhe injektimit në tru të etheve të tmerrshme të histerisë, duke u shndërruar nga komb i kulturuar në komb vampir, nën shtysën e verbër ndaj idesë absurde se Fyhrerin e tyre ka caktuar Perëndia të drejtojë gjithë njerëzimin, pasi vetëm flamuri me kryqin e thyer, shpreh kuptimin e mirëfilltë filozofik të jetës dhe zhduk padrejtësitë e përbindshme ndaj Gjermanisë, të cilën shekujt e copëtuan egërsisht, e katandisën në shtet mjeran, duke i lënë fare pak territori, për të zgjeruar frymëmarrjen kombëtare dhe zhvilluar më tej bindjen e patundur si komb elitar.
Në këto kushte të turpshme e të papranueshme, Fyhreri e ndjeu më parë se gjermanët e tjerë në prag lajthitjeje, të eksituar nga deliri dehës i madhështisë të kombit superior, se duhej vepruar me shpejtësi e intensitet të jashtëzakonshëm për të ndryshuar hartën dhe ngjyrat e globit, se kish ardhur koha e shumëpritur për Kombin e madhërishëm Gjerman, që, nën udhëheqjen e hekurt të Kancelarit të Gjithëpushtetshëm të digjte me zjarrin e urrejtjes së përbindshme dy mëkatarët shkaktarë të kësaj katrahure shekullore:
spekulantët e përhershëm, çifutët mashtrues dhe zhvatës, zotëruesit e kapitalit më të madh financiar në botë, si dhe m’uzhikët e pa gdhendur rusë, turmën nomade me prapambetje mendore, që, ndonëse vishet me brekushe e kaftane primitive prej liri, sfidojnë kombet e qytetëruara, nervozon sidomos racën superiore ariane, teksa m’uzhikët livadhisin me kapardisje të krekosur në një të gjashtën e gjithë globit, në kontrast me zhvillimin mendor, të cilin e kanë me vite dritë larg, statusit fillestar të qytetërimit!
Pikërisht kur përgatitej të niste kasaphana më e llahtarshme dhe më drithëruese e historisë njerëzore dhe së shpejti do të vërshonte gjatë gjithë kufirit rus, mësymja me gjakatare e vrastare për të përmbushur ëndrrën e të çmendurit më histerik të të gjitha kohëve, kur Hitleri i pështjelluar me shtjellën e tërbimit, përjetonte kulmin e lavdisë, duke e quajtur veten të Parin Perandor të rruzullit tokësor dhe nën shtysën e kësaj mendësie shpërfillte me mendjemadhësi arrogante tragjedinë e shpartallimit të turpshëm të Perandorit Napoleon Bonapart, nga Kutuzovi e Suvorovi.
Pra në këtë kohë ai i quante profka frikacake shpjegimet cinike të dështimit të turpshëm, të cilat ua hedhin fajin kërcënimeve të egra të Dimrit Rus, këtij kundërshtari të pamposhtur në të gjitha kohët, që u ka bërë ballë mësymjeve më të tërbuara të hordhive të huaja, armatosur deri në dhëmbë! I Çmenduri histerik kurrsesi s’donte ta pranonte realitetin historik, që pikërisht mes nofullave gjigante të Dimrit Rus, u tretën kockat e hordhive të tmerrshme të Çingis Khanit, ngrinë dhe u fosilizuan repartet me emër të madh të Napoleon Bonapartit, sunduesit të gjithë Evropës!
(Nisur nga këto fakte të pa kundërshtuara, analistët e mprehtë ushtarakë parashikuan në kohën e duhur, ku do ta çonte mendjelehtësia e çmendur Fyhrerin, i cili besonte verbërisht në triumfin e Rajhut të Tretë, brenda muajve të verës, pa nisur stina e vjeshtës, sepse madhështinë e ushtrisë më të motorizuar të botës, e shihte si të vërtetën e vetme absolute, që nuk e stepin dhe s’e thyejnë dot as fuqitë më të llahtarshme të mbinatyrshme, e jo pastaj të hamendësohet për disfata qesharake në hapësirat e pafundme ruse.
Truri i hallakatur i diktatorit, e quante lajthitje paranojake forcën dhe madhështinë e pamposhtur të Dimrit Rus. Në veshët e tij mbërrinin si profka tepër absurde dhe qesharake, pandehma e disfatistëve, se Ded Morozi bashkë me ushtrinë e Kuqe të Stalinit, do atrofizonte e shpartallojnë deri në asgjësim të plotë, armatat më të specializuara hitleriane, e për rrjedhojë ëndrra e menduar do të bëhet hi e pluhur, Vollga dhe Doni, do marrin përmasa mitike, deri biblike, aq sa do t’u ngrihen këtyre lumenjve përmendore lavdie të përhershme!)
Pikërisht në pragun e fillimit të kësaj aventure të pashembullt vrastare, në historinë botërore, brenda një ngrehine pothuaj të rrënuar përdhese të qytezës Lushnje, në Shqipërinë e vogël, lindi fëmija i fundit në familjen e madhe të rrobaqepësit dyzet e dy vjeçar. Këtu, në këtë ngrehinë mjerane me dy kthina, secila me një dritare, pa tavan dhe dysheme, kaloi foshnjëria ime. Kulmi i çatisë së kthinës së majtë, për të mos u shembur, mbështetej mbi një furkë të trashë druri, në formë paralelepipedi, ngulur thellë në mes të truallit.
(Më vonë, kur u rrita dhe fillova të kuptoja, mësova nga nëna se dikur kjo ngrehinë rrënoje kishte shërbyer si strehë për familjen e shërbyesit të një zotërie të kamur, meqë ndodhej në qendër të qytezës, fare pranë rrugës së kalldrëmtë, që ngjitej për në lagjen “Stan” dhe vetëm një hendek i thellë e ndante nga ndërtesa solide e Komandës Gjermane. Pikërisht pozicioni i saj i favorshëm, e kishte mbrojtur nga rrafshimi dhe akoma mbahej në këmbë me shpirt ndër dhëmbë në gjendjen skajshmërisht të rrënuar).
Pas tre vjetësh, (kur luftës së tmerrshme po i vinte fundi, pushtuesve gjermanë kishte filluar t’u rrëshqiste toka nën këmbë dhe kudo ndjehej frymëmarrja e lirisë), familja ime u zhvendos në një ngrehinë tjetër, me dy hyrje, njëqind metra më tej, pronë e një pasunari, i cili iku nga tmerri dhe frika mos keqbërësit në rrëm’ujë e sipër, i mësynin shtëpinë, e grabisnin dhe i përdhunonin gruan, ndaj u shpërngul në një qytet më të mbrojtur e të sigurt. Kështu, na u dha neve mundësia të banojmë në një strehë me hapësira më të gjëra e, më të bollshme.
Tridhjetë metra përpara kësaj ngrehine, me një arkitekturë krejt të veçantë, lartësoheshin si statuja të lashtësisë dy mure mjaft të trashë, të cilët ndoshta kanë shërbyer si korniza gjigante të portës hyrëse të sarajeve të një pashai turk, pesëqind vjet më parë. Prapa shtëpisë shtrihej një yrt shumë i madh, me bajame dhe shegë, hapësira më e këndshme për fëmijët e lagjes. Në krah të djathtë, një rrugicë fare e ngushtë të çonte tek pusi i thellë me grykë të gurtë, mbi të cilën qenë gdhendur vijat e thella të tërheqjes së litarëve, gjatë ngritjes së kovave të mëdha.
Më vonë, kur fillova të kuptoja, më dukej mjaft e habitshme dhe e pakuptimtë që këtë vend të zbuluar, të pambrojtur gjithandej, grykën e pusit, dy familjet e përdorën atëherë si strehim mbrojtës gjatë bombardimeve, sa herë jepej alarmi! Ishte e habitshme se si drejt grykës së pusit, vraponin gratë dhe vajzat e trembura, duke mbajtur për dore fëmijët e vegjël, nën shtysën e bindjes se burimi i ujit cilësohet nga gjithë popujt e botës vend i shenjtë, dhe duke qenë i tillë nuk preket, mbrohet njësoj si faltoret, askush nuk guxon të hedhë bomba!
Për ne fëmijët e lagjes, hapësira e pafund e yrtit dhe lëndina vazhdimisht e gjelbër pak më sipër përbënin një mrekulli më vete, sepse na jepej mundësia të përmbushnim dëshirat tona me lodrat e asaj kohe: “cingla”, “komandë”, “luftash”, “kaladibrançe”. Ndërsa poshtë sopit, luanim me top lecke, sa na gjakoseshin gishtat e këmbëve. Kur moti ashpërsohej, bënte acar, frynte erë e ftohtë dhe binte shi, ne mblidheshim nëpër qoshe, poshtë një strehe, që të mos lageshim dhe aty organizonim konkurse, provonim sa të stërvitur e kishim kujtesën.
Fitonte ai që gjente më shumë emra artistësh të filmave që kishim parë në kinema; emra shtetesh dhe kryeqytetesh; emra personazhesh të librave të lexuar. Në fund i vinte radha çmimit tjetër të rëndësishëm, rrëfimit artistik të tregimeve dhe përrallave. Duke e parë nga çdo këndvështrim, e them pa e tepruar se fëmijët e lagjes sonë, kishin veprimtari, gjallëri dhe argëtim të veçantë. Për këtë merita kryesore u takonte prindërve tanë, edukatës së tyre të shëndoshë, me të cilën na mekuan në vegjëli, e sidomos na mësuan si ta organizojmë kohën e lirë sa më frytdhënëse e të dobishme.
Përveç lodrave, konkurseve, leximit të librave, shikimit të shfaqjeve me kukulla kartoni, ne, fëmijët e kësaj lagjeje kryenim dhe punë të dobishme shoqërore për ato familje ku jetonin të moshuar. Duhet vënë në dukje edhe diçka tjetër interesante: dashuria dhe respekti mes nesh shoqërohej gjithnjë me kërkesa të rrepta ndaj sjelljes së kujdo. Kjo mënyrë na jepte forcë të mos ngurronim për të qortuar rëndë njeri – tjetrin në çdo rast, qoftë dhe për shfaqjen më të vogël të sjelljes së pahijshme.
Askush nuk dëshpërohej pse qershia mbi tortë vendosej gjithnjë në familjen time, për faktin se vetëm këtu kryhej një traditë e mrekullueshme, (të cilën shumë rrallë mund ta ndeshje në familjet e tjera shqiptare): në shtëpinë tonë përjetohej një ritual frymëzues, falë përkushtimit të babait me kulturë të gjerë e të begatë, i cili e ndjente si detyrë parësore të na mëkonte shpirtin dhe mendjen, pavarësisht pse kthehej mjaft i lodhur e gati i rraskapitur nga puna e përditshme: mbrëmjeve na mblidhte rreth mangallit me prush, për të dëgjuar fragmente romanesh nga autorët më të shquar, të përkthyer prej tij nga frëngjishtja, anglishtja e gjermanishtja, gjuhë që i kish mësuar dhe i zotëronte rrjedhshëm në gjimnazin me famë, ‘Zosimea’ të Janinës, të cilin e përfundoi me medalje ari!
Gjatë këtyre minutave me tërheqje të jashtëzakonshme magnetike, pështjellohesha nga një kënaqësi dehëse e pa krahasuar me asnjë tjetër. Ishte mrekulli të dëgjoje perlat e letërsisë botërore nga goja e babait, sa bukur, rrjedhshëm e me përsosmëri interpretoheshin mendimet brilante, thuajse këto i lexonte një aktor i talentuar drejtpërdrejt në gjuhën shqipe!
Këto mbrëmje e qerthullonin shpirtin tim, me një magji kaq të mahnitshme, sa më dukej sikur pas kësaj shndërrohesha në një ëndërrimtar! (Tani e pohoj me bindje të plotë e pa asnjë mëdyshje, se gjatë këtyre netëve filloi të ngjizet në shpirtin dhe mendjen time prirja për letërsi, u formuan kristalet e parë të tharmit, të cilët mbetën të ndrydhur për dekada të tëra nën trysninë e dhunës së skëterrshme të luftës së klasave dhe vetëm kur erdhi çasti i përshtatshëm, u ndez vrullshëm vatra e krijimtarisë, nga ku filloi të derdhet llava e zjarrtë e shumë romaneve!…)
Mjaft të këndshme dhe argëtuese ishin mbrëmjet e ngrohta, kur të rriturit e familjes jepnin për ne më të vegjlit shfaqje interesante. Ne rrinim ulur këmbëkryq në stol, përpara një pëlhure të bardhë, që ndriçohej nga një llambë vajguri, ku projektoheshin figura të ndryshme kartoni, sipas një skenari të caktuar dhe secila nga kukullat e lëvizshme fliste me zërin e saj. Kishim të drejtë të mburreshim e krenoheshim me kinemanë tonë origjinale, përpara fëmijëve të lagjeve të tjera, që vinin tek ne për të parë. Natyrshëm ndjeheshim të kënaqur e të lumturuar, që lagja jonë qëndronte në pararojë. Por sigurisht merita u takonte të rriturve, sidomos vëllait tim të madh, organizatorit kryesor të këtij argëtimi.
Në mënyrë të vetvetishme, këto shfaqje nxitën tek ne një ide mjaft interesante, e cila pas shumë diskutimesh u shndërrua në vendim të njëzëshëm, që grupi ynë i fëmijëve të vinte në skenë një pjesë të vërtetë teatrale, me ndihmën e vëllait të madh. Ky e mirëpriti propozimin tonë dhe u tregua i gatshëm ta drejtonte, me kusht t’i futeshim menjëherë punës. Pasioni i zjarrtë, gatishmëria e vazhduar, përkushtimi i palodhur dhanë frytet që prisnim të piqeshin: vumë me sukses në skenë pjesën teatrale “Çeta e Petritave”, e cila në Festivalin Kombëtar të Teatrit në Berat, u nderua me diplomë! (Juria më dha dhe mua diploma, për interpretim të shquar të rolit)!
Pas këtij vlerësimi dyfish të suksesshëm të shfaqjes dhe rolit, vëmendja ime u orientua drejt një pikësynimi të ri, i cili më vonë mori përmasat e një fiksimi se në të ardhmen, do të bëhem aktor! Ndaj menjëherë pas përfundimit të shkollës 7 – vjeçare, me përfundime të shkëlqyera, pa asnjë lëkundje, kërkova të drejtën e studimit për në Liceun Artistik, në Tiranë, në degën e Teatrit. Por ndodhi çuditërisht gjëja me e pabesuar: përgjigja pozitive e seksionit të arsimit, nuk përputhej me realitetin! Ne mbetëm tejet të shtangur: si ka mundësi të katranoset në zyrat e shtetit, një anomali kaq e pakuptimtë?!
Përveç meje, edhe pjesëtarët e familjes time mbetën të hutuar e të zhgënjyer nga ky çrregullim! Sepse askush me dy para mend, nuk e pranon që një organ shtetëror në bazë, si seksioni i arsimit, të mos ketë dijeni për lajmin e para një viti, nga qendra, se dega dramatike në Liceun Artistik, i ka mbyllur dyert?! Prandaj nuk dinim si t’ia vinim emrin kësaj katrahure, shkaktuar nga mefshtësia zyrtare paradoksale! Kuptohet, pasojat e kësaj mefshtësie, i hëngra unë: mbeta një vit në shtëpi, duke lexuar drama, tragjedi, komedi, romane dhe tregime!…
Por më tepër u përkushtohesha përjetimeve të skenave tronditëse, përpjekjeve për të siguruar mbijetesën në vitet e tmerrshme të zisë së bukës, kur tërë natën rrinim në radhë me një thes në kokë, në cepin e fushës së sportit për të blerë në agun e mëngjesit bukën speciale, me pesëfishin e çmimit! Më dilnin para syve fytyrat e nemitura, të tjetërsuar nga uria: për të mos na u tharë gurmazi pinim gllënjka dhallë…!
Në këto kushte kaq kërcënuese për shëndetin, babai ynë i mrekullueshëm bënte përpjekje dhe gjente forma të ndryshme të siguronte bukën nga myshterinjtë bujq, të cilëve ua kërkonte vlerën e qepjes së rrobave, ta shlyenin në natyrë. Kjo zgjidhje e përsosur e dyanshme ndihmonte të dy palët, sepse edhe bujqve punëtorë u lehtësohej detyrimi i pagesës, edhe ne e ndjenim më pak se shumica, pasojën gërryese të krizës, të cilët shpëtimin e shihnin kryesisht duke ngrënë lakra të egra dhe hithra të ziera, me një dorë miell misri!…
Shtatorin e vitit të ardhshëm, m’u dha e drejta e studimit për në gjimnazin me emër mjaft të dëgjuar, në qytetin verior të Shkodrës, si konviktor. Ishte hera e parë që udhëtoja i vetëm dhe do jetoja katër vjet larg familjes. Si çdo djalë i moshës sime, u bëra kureshtar të mësoja diçka për jetën konviktore, ku do kaloja tre të katërtën e kohës së katër viteve. Por në fillim vëmendjen, ma tërhoqi rrugëtimi i vështirë, sidomos mjetet e udhëtimit, ‘SAT’ – at e ngushta, ku me shumë zor futeshe dhe mbërrije deri në vendin tënd, nëpër atë fije korridor.
Dhe më problematike ishte blerja e biletës, sepse duhej të dergjeshe tek agjencia e ‘Sahatit’ me orë pambarim. Hapësira tepër e ngushtë e autobusëve dimërorë, mbetur si plaçkë lufte pas çlirimit të vendit, me atë ajrosje me pikatore si racionet e bukës, u krijonin udhëtarëve një gjendje gati asfiksie dhe na pengonin të shihnim e shijonim përtej xhamave të dritareve, panoramat gjatë rrugës. Ndaj, secili mezi priste mbërritjen në stacionin fundor, që të çmpinte këmbët e, të mbushej me frymë.
Grupi i konviktorëve dallohej menjëherë nga udhëtarët e tjerë, prej valixheve të drurit dhe veshjes fare të thjeshtë. Si bujtës për herë të parë, ne ndoqëm udhëzimet që na kishin dhënë: pasi të kapërceni sheshin e madh të qytetit të lashtë, do futeni në rrugicën e ngushtë, në krahun e djathtë të ‘Kafes së Madhe’. Krejt e natyrshme që me paraqitjen tonë të veçantë, tërhoqëm vëmendjen e kalimtarëve, të cilët në këto minuta pyesnin veten dhe njëri – tjetrin; nga ç’krahinë kanë zbarkuar shkollarët fillestarë?!
Në fund të rrugicës së ngushtë shtruar me çakëll, ra menjëherë në sy ngrehina solide dykatëshe e konviktit, me përmasa gjatësore sa fusha e sportit, ku do jetoja katër vjet. (Para çlirimit, kjo ndërtesë e stilit roman, kishte shërbyer si institucion arsimor për jezuitët). Korridori i jashtëm me kolona harkore brenda oborrit të madh, rrethuar me mure të lartë, ta jepte idenë për çfarë ka shërbyer kjo ngrehinë me arkitekturë të veçantë, ngjitur me ndërtesën e teatrit të vjetër “Migjeni”, fare pranë kullës së Gjon Markagjonit dhe ndërtesës me bukuri të rrallë, e lulishte të mrekullueshme të shtëpisë së kulturës, (ku gjatë provimeve të verës këtu studionim). Memorie.al