Ish ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit aktual të Drejtësisë, Goran Fillkov ku thotë se “shumica e badenterit po keqpërdoret, ndoshta ka ardhur koha të revidohet” njofton Top24
Lloga është shprehur i ashpër, duke thënë se këtij pushteti VMRO-VLEN edhe Millosheqivi do t’ua kishte zili.
“Çfarë pushteti kriminel është ky i VLEN-VMRO-DPMNE-së! Pasi kontestuan çdo gjë që ka të bëjë me shqiptarët – dygjuhësinë, balancuesin, regjistrimin e popullsist, ofendimet e përditshme, zeroizimin e punësimeve funksionarë minimalë ose pa asnjë peshë – shkuan aq larg, sa edhe vetë pushteti kriminal i Millosheviqit do t’ua kishte zili. Tash duan të rishqyrtojnë edhe votimin e dyfishtë, gjegjësisht të ashtuquajturin “Badinter”.
Që në fillimet e veta, gjuha e kësaj qeverie ka qenë “destabilizimi”. U përpoqën të provokojnë në çdo fushë, por falë pjekurisë së faktorit politik shqiptar, dhe jo vetëm, u shmangën provokimet e përditshme.
Konflikti i vitit 2001 u ndal falë përpjekjeve edhe të faktorëve ndërkombëtarë, të cilët sollën pakon minimale të të drejtave të shqiptarëve. Këto për më shumë se dy dekada u zvarritën, u çvendosën, u minuan e shpeshherë u mohuan. Të kesh iluzionin fashist se je i zgjedhur për të ridefinuar shtetin sipas shijeve subjektive është naivitet dhe amoralitet në variantin më të mirë, e dashakeqësi në variantin më të keq – që në përkthim do të thotë ndarje e vendit dhe copën më të madhe (Juzhna Banovina) t’ia dhurosh Republikës Federative të “srpski svet”-it, duke gjetur fajtorin e përhershëm – shqiptarët.
Maqedonia e Veriut është shtëpia jonë. Është e të gjithëve ne dhe jo e ca oligarkëve apo udbashëve të djeshëm të maskuar si politikanë apo biznesmenë.
Të gjitha veprimet e një viti të kësaj qeverie antimaqedonase dhe antishqiptare janë një koleksion i qartë për mendjet e kthjellta maqedonase se dikush dëshiron t’ua përçajë e ndajë shtetin, por janë edhe një koleksion i jashtëzakonshëm faktesh për faktorin ndërkombëtar, veçanërisht për nënshkruesit dhe garantuesit e Marrëveshjes së Ohrit.
Ministri i paaftë e dembel, që nuk ka lëvizur asgjë për një vit, edhe pse ka pasur gati dhjetëra projektligje të trashiguara për t’i procesuar me kohë, urgjentisht duhet të tërheqë këto fjalë dhe të kërkojë falje. Ndryshe, ai është lajmëtar ogurzi për popullin dhe shtetin tonë. Ky ministër duhet thirrur në Prokurori, sepse po sfidon rendin kushtetues dhe ligjor të shtetit që aksidentalisht e ka bërë – jo pak, por – Ministër të Drejtësisë”, shkruan Lloga.
Portali është në pronësi të Almakos, lajmet dhe informacionet tjera nga portali nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi. Për të shfrytëzuar informatat e këtij portali ju lutemi kontaktoni personat përgjegjës, ose shkruani në email-in oficial të portalit.
ALMAKOS MEDIA GROUP Adresa: Miroslav Krleza 14, 1000 Shkup, Maqedoni Veriore Tel/fax: +389 71 322 229 Email:[email protected] | [email protected]