Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt dëshiron të lejojë që qendrat e dëbimit, të ashtuquajturat “qendra kthimi”, të ngrihen jashtë BE-së. “Ne mbështesim kërkesën për qendra kthimi. Besojmë se është një qasje inovative dhe absolutisht e nevojshme”, deklaroi politikani i CSU-së në fillim të një takimi joformal të ministrave të brendshëm të BE në Kopenhagë.
Sipas Dobrindtit, “nevojiten vende partnere sa më afër vendeve të origjinës, të cilët mund të bien dakord me ne për ripranimin e azilkërkuesve”. Për ta arritur këtë, BE duhet të lidhë marrëveshje me vendet e treta.
“Ka vende që tashmë kanë plane të gjera për të organizuar diçka të tillë”, tha Dobrindt në takimin e ministrave të Brendshëm të BE-së në Kopenhagen. “Nuk dua ta përjashtoj mundësinë që Gjermania t’u bashkohet të tjerëve.”
Komisioni Evropian kishte propozuar tashmë thjeshtimin e kushteve për riatdhesimet në vendet e treta në maj. Vendet e BE-së duhet të jenë në gjendje të kthejnë më lehtë pas azilkërkuesit në një vend tjetër, edhe nëse migrantët nuk kanë lidhje me vendin në fjalë. Nuk do të jetë më e nevojshme të provohen lidhje, të tilla si lidhjet familjare ose vendbanimi i mëparshëm.
“Nevojitet bashkëpunim më i madh”
Dobrindti kishte ra dakord javën e kaluar me homologët e tij nga Franca, Polonia, Austria, Danimarka dhe Republika Çeke për të shtrënguar politikën e migrimit. Pjesëmarrësit ranë dakord të mos lejojnë më procedura të kushtueshme dhe për këtë arsye të gjata të shqyrtimit të aplikimit për azil, shpjegoi Dobrindti pas një takimi të gjashtë ministrave të brendshëm.
Ministri i Brendshëm francez Bruno Retailleau bëri thirrje gjithashtu për masa më të ashpra kundër azilkërkuesve dhe kompetenca të gjera për autoritetet. Nëse dikush hyn në vend pa një pasaportë të vlefshme, “duhet të jetë e mundur, për shembull, të kontrollohet telefoni i tij”, tha Retailleau në takimin në Kopenhagë.
Më shumë fonde nga BE për autoritetet kufitare
Planet e Brukselit për buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të BE-së përfshijnë, ndër të tjera, rritjen e fondeve për agjencinë evropiane të kufirit Frontex. Përpjekjet e Komisionit përfshijnë gjithashtu marrëveshje me vende si Libia, shpjegoi Komisioneri Evropian Brunner. Qëllimi është “të vendoset migrimi në tryezë kur diskutohen çështje të tjera”, të tilla si marrëveshjet tregtare ose bashkëpunimi për zhvillim.
Në Libi, në veçanti, bashkëpunimi me autoritetet është i vështirë për shkak të trazirave në vend. Qeveria në kryeqytetin Tripoli, në perëndim, po lufton për pushtet me një qeveri rivale në Bengazi, në lindje. Më herët këtë muaj, Brunneri dhe ministrat nga disa vende të BE u dëbuan nga Bengazi ndërsa përpiqeshin të negocionin me autoritetet lokale.
OKB kritikon ashpërsimin e politikës së migrimit
Shumë migrantë po përpiqen të arrijnë në Evropë nga Libia. Migrantët e kapur nga autoritetet libiane në rrugën e tyre drejt Evropës kthehen me forcë në vendin e Afrikës së Veriut dhe mbahen në mënyrë arbitrare. Grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë BE për bashkëpunim në shkeljet e të drejtave të njeriut në vend.
Përfaqësues nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) morën pjesë gjithashtu në takimin e Kopenhagës. Kombet e Bashkuara kanë kritikuar vazhdimisht politikën shtrënguese të migracionit të BE-së. Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, i bëri thirrje javën e kaluar Gjermanisë, në veçanti, të ndalojë kthimet në Afganistan./DW