Në orën 17:00 të kësaj pasditeje, qytetarët e Tiranës dhe ndoshta nga zona të tjera të vendit, u mblodhën kundër rritjes së çmimeve të naftës në një protestë që vijoi deri në orët e vona të mbrëmjes. Kjo protestë u shoqërua me tensione dhe bllokim rrugës kyçe në kryeqytet, dhe me pas me shoqërimin në polici të 14-15 personave që ishin të pranishëm.
Ulje e çmimit të naftës është vënë re mbrëmjen e së mërkurës në një stacion të furnizimit me karburant në vendin tonë, pas rritjes alarmuese të ditëve të fundit. Nga vrojtimet e Gazetës Shqiptare rezulton se një litë nafte shitet për 245 lek, nga përkatësisht 260 dhe 269 lek një ditë më parë.
ÇFARË DEKLARUAN PERSONAZHET PUBLIKË TË PRANISHËM NË PROTESTË DHE PËRMES RRJETEVE SOCIALE?
Florian Binaj në protestën kundër rritjes së çmimit të naftës: Nuk ulen çmimet me klikime në instagram
Aktori i njohur i humorit, Florian Binaj i është bashkuar protestës kundër rritjes së çmimit të naftës. Para kryeministrisë ai i ka bërë thirrje të rinjve që të mos rrinë në kafe apo në instagram, por të dalin të protestojnë.
“Ti tregojmë qytetarëve që nuk ulen çmimet duke qëndruar në kafe, nuk ulen çmimet duke bërë buzët dhe duke blerë klikime në instagram. I them të rinjve që nuk është instagrami atdheu juaj, prandaj ju them hejdeni këtu bashkë me ne”, u shpreh aktori.
Florian Binaj shpalosi një pankartë ku ironizonte edhe Bashë, i cili thotë se “nuk kam humbur asnjë beteje”, edhe Ramen, i cili thotë “nuk kam rritur asnjë taksë”.
“Po çfarë dreqin bëhet në këtë vend”- Avokati Adriatik Lapaj: Qeveritë e përgjegjshme në rajon kanë marrë masa!
Avokati Adriatik Lapaj ka dalë në protestën e sotme para kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve në vend.
“Qeveritë e përgjegjshme në rajon kanë marrë masa, kjo nuk është krizë vetëm e Shqipërisë, por edhe e vendeve të tjera që reflektohen edhe në Shqipëri. Nëse në vendet e tjetra çmimet rriten me 5%, si ka mundësi që në Shqipëri rriten me 25%”, tha Lapaj.
Protesta për rritjen e çmimeve/ Kryemadhi: Ky është Këshillimi Kombëtar, dëgjoni zërin e popullit
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka reaguar për protestën që po zhvillohet përpara Kryeministrisë.
“‘Këshillimi Kombëtar’ i vërtetë po ndodh tani para Kryeministrisë. Dëgjojeni zërin e popullit, frenoni rritjen e çmimeve!”, shkroi Kryemadhi në Facebook.
Qytetari: Nesër fikini makinat dhe mos u dorëzoni
Qytetarët të cilët sot dolën në protestë para kryeministrisë kundër rritjes së çmimit kanë bërë thirrje që nesër të fiken makinat në rrugë në shenjë protestë.
“Socialistë mos rrini në shtëpi, çohuni dhe dilni sepse keni më pak para në xhep. Vetëm ky vampiri këtu dhe bashkëpunëtorët e tjerë, ju socialistë po varfëroheni, miqtë tuaj po varfërohen, sepse nuk ka një qeveri që mendon për njerëzit. Zgjohuni fikni nesër makinat rrugës, bllokoni rrugët dhe mos u dorëzoni më”, u shpreh qytetari.
“Unë dua të jetoj në Shqipëri, por…”- Mesazhi i vogëlushes që mori pjesë në protestë
Protestës para kryeministrisë i janë bashkuar edhe fëmijët. Një vajzë e vogël, ka dhënë një mesazh shumë domethënës, duke u shprehur se ajo ka dëshirë të jetojë në Shqipëri, por jo kur vendi bëhet i shëmtuar.
“Përshëndetje, unë doja të thoja që unë dua të jetoj në Shqipëri, por nuk dua të jetoj në Shqipëri kur behet një vend kaq i shëmtuar”, u shpreh vajza e vogël.
Pedagogu Ervin Goci: Të bllokojmë çdo centimetër të Shqipërisë
Pedagogu i Departamentit i Gazetarisë e Komunikimit dhe njëherësh aktivisti Ervin Goci i pranishëm në protestën kundër rritjes së çmimit të karburanteve ka deklaruar se zgjidhja e vetme që qeveria të tërhiqet është bllokimi total i vendit. Sipas tij, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Unë sot doja të thosha diçka më duket se po anashkalohet. Kam një qasje timen që dua ta ndaj me ju, po flas me këtë që po ndodh tani. Kemi marrë pasoja nga rritja e çmimeve. Unë nëse dal në protestë do të kërkoj përgjegjësi, ose nuk dal të bëj animatorin këtu sepse ka vende të tjera.
Unë kërkoj sot dorëheqjen e ministres së energjetikës, Belinda Ballukut apo ministrive të linjës sepse unë dëmin e kam marrë në çdo sekondë që unë jetoj dhe marr frymë, dal nga shtëpia, dal dhe eci, dhe jam duke i çuar paratë në pus. Zgjidhja cila është? Është bllokim total në çdo centimetër në Shqipërisë. Bujqit dhe taksistët të bllokojnë çdo centimetër të Shqipërisë derisa këta të dorëzohen”, u shpreh Goci.
Aktivistja e shoqërisë civile: Po abuzohet me taksat e rrogës që nxjerrim me gjak
Aktivistja e shoqërisë civile Edlira Çepani, i bëri thirrje qeverisë nga protesta kundër rritjes së çmimeve që të ulë taksat prej 130 lekë të vendosura mbi 1 litër karburant.
“Kujt nga ju nuk i ka ardhur në majë të hundës me abuzimet që bëhen me taksat e rrogës që ne e nxjerrim me gjak. Ne e dimë që ka luftë, e dimë që ka krizë, por e dimë që ka dhe abuzime. Kemi taksat më të larta te karburenti në rajon. Nuk u rrit çmimi në momentin që e rritën të gjithë menjëherë. Është koha për të ulur taksat, paguajmë 130 lekë për një litër karburant.
Është koha për të ulur taksat. A e dini sa nëna baballarë vuajnë për bukën e gojës, ne nuk mund të tallemi me bukën e tyre. Sot këto shtresa ne duhet të ndihmojmë. Nëse rritet çmimi i karburantit, riten çmimet e transportit publik, rriten çmimet e shportës, rritet buka. Ne kemi në dorë vetëm zërin tonë, pasi kjo që po ndodh në Shqipëri është padrejtësi, drejtësi për shqiptarët”, tha Çepani.
Pano Soko ironizon Ramën: Ore çfarë pune ka ky me krizën, as nuk blen naftë as miell
Eksperti i ekonomisë, Pano Soko në fjalën e tij në protestën kundër rritjes së çmimeve ka akuzuar qeverinë. Sipas tij, Rama nuk ka asnjë lidhje me këtë krizë, pasi e gjitha është në kurriz të qytetarëve.
“Tani unë kam një thirrje për ata që marrin një thes miell për votën, Mos e jepni më se është rritur çmimi. Kur të votoni herën tjetër mos votoni hajdutë. Vjen dita kur ajo 50 euro kthehet në 100 euro. Po këta kështu e kalojnë me mill.”
Qytetarët bllokuan rrugët për rritjen e çmimit të naftës, Meta-qeverisë: Ndërhyni urgjentisht dhe merrni masa
Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me protestën e zhvilluar sot nga qytetarët kundër rritjes së çmimit të naftës.
“Shqipëria ZERO paketë ekonomike në ndihmë të familjeve në nevojë, fermerëve dhe bizneseve të vogla dhe ZERO nisma për uljen e çmimeve abuzive të karburanteve, energjisë elektrike dhe mallrave të shportës.
Qeveria të ndërhyjë urgjentisht”, tha Meta.



