Një rast i kanosjes është raportuar në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se ka kërcënuar ish-bashkëshorten dhe djalin e tij.
Ngjarja është raportuar më 18 mars 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Idriz Gjilani”, ku viktima V.G. ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj B.G.
Sipas deklarimit, i dyshuari kishte kontaktuar me djalin e tyre të përbashkët dhe gjatë bisedës, pasi ishte pyetur për dhunën ndaj nënës, ka reaguar me fyerje dhe kërcënime, duke thënë se do ta përsërisë veprimin dhe duke kanosur edhe djalin.
Po ashtu, ndaj viktimës janë përdorur shprehje kërcënuese për jetën, ndërsa i gjithë komunikimi dyshohet të jetë i incizuar dhe dorëzuar si provë.
I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.
Me vendim të prokurorit kujdestar për dhunë në familje, ai është dërguar në ndalim për 48 orë në Qendrën e Mbajtjes.
Rasti është iniciuar si “Kanosje” dhe hetimet janë në vazhdim.


