Prokuroria Themelore Publike në Kavadarci ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër tre personave, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se si bashkëkryes kanë kryer veprën penale – Lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekjen, sipas nenit 131 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Të dyshuarit, dy prej të cilëve janë 27-vjeçarë dhe një 35-vjeçar, më 27 gusht rreth orës 05:00 të mëngjesit kanë pasur një debat verbal me viktimën brenda një kazinoje në Kavadarci.
Më pas kanë dalë jashtë, ku e kanë sulmuar fizikisht dhe e kanë goditur me grushte dhe shqelma në të gjithë trupin dhe në kokë. Viktima ka tentuar të hyjë përsëri në kazino, por ka humbur vetëdijen. Nga goditjet ai ka marrë disa lëndime të rënda trupore, të cilat kanë rezultuar fatale.
Gjatë procedurës hetimore do të sigurohen të gjitha provat dhe do të bëhet edhe ekspertizë psikiatrike e të dyshuarve. Nëse vërtetohet se ata kanë pasur vetëdije dhe qëllim për t’ia marrë jetën viktimës, vepra mund të rikualifikohet në vrasje.
Prokurori publik ka dorëzuar edhe kërkesë te gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Kavadarcit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve, duke pasur parasysh rrezikun e arratisjes. Kjo mbështetet edhe nga sjellja e tyre pas ngjarjes, pasi ata janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk janë paraqitur vetë në polici, por kanë shkuar së bashku në banesën e njërës prej të dyshuarve. Për këto arsye, prokurori publik ka vlerësuar se paraburgimi është i domosdoshëm për zhvillimin pa pengesa të procedurës dhe sigurimin e provave.