Mbarë vendi është duke pritur me padurim rezultatin e zgjedhjeve të ditës së diel. Palët politike kanë nxituar që mbrëmjen e djeshme që të flasin rreth rezultateve paraprake. Ditën e sotme janë shtuar kandidatët që nga qendrat e votimit, flasim për ecjen e numërimit.
Por duket se këtë “fat” nuk e ka Najada Çomo. Kandidatja e dytë për Tiranën e Partisë Socialiste, nuk mund t’a ndjekë numërimin as nga qendrat e numërimit e as më pak nga selia e PS. Edhe sot, si çdo ditë tjetër që prej më shumë se një viti tashmë, Çomo është në krye të detyrës së saj në spitalin Infektiv, ose si e njohim, COVID 1.
E kontaktuar nga Gazeta Shqiptare ajo është shprehur se është duke ndjekur procesin, por online, pasi aktualisht gjendet në spital, duke i shërbyer pacientëve. “Patjetër që jam duke ndjekur rezultatin. Por jam në krye të detyrës në spital, me stafin dhe duke i shërbyer pacientëve. Por rezultati po ndiqet online, në të gjitha aspektet. Presim rezultatin final, por trendi shihet qartë”, mbyll prononcimin e saj për GSH, mjekja Najada Çomo.



