Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se administrata e tij do të “ulë tensionet” në Minnesota, pas vrasjes së dytë brenda pak javësh të një qytetari amerikan nga agjentë federalë të emigracionit, një seri ngjarjesh që ka shkaktuar protesta dhe reagime të forta publike në mbarë vendin, raporton BBC.
Në një intervistë për Fox News, Trump i cilësoi të dyja incidentet si “të tmerrshme”. “Në fund të fundit, ishte e tmerrshme. Të dyja ishin të tmerrshme,” u shpreh ai, duke sinjalizuar një hap pas në operacionet federale në këtë shtet.
Në fillim të janarit, Renee Good u vra për vdekje nga një oficer i emigracionit. Disa javë më vonë, Alex Pretti humbi jetën pasi u ndalua nga agjentë të kufirit gjatë fundjavës së kaluar. Vdekja e Pretti-t rindezi protestat lokale dhe shkaktoi zemërim publik, si dhe kritika nga ligjvënës të të dyja partive politike.
Duke folur për gazetarët përpara një tubimi elektoral në Iowa, Trump e përshkroi vrasjen e Pretti-t, një infermier i kujdesit intensiv në një spital për veteranët, si “një incident shumë fatkeq”. I pyetur nëse pajtohej me etiketimin e Pretti-t si “terrorist i brendshëm”, presidenti tha se nuk kishte dëgjuar për një përshkrim të tillë. Megjithatë, ai shtoi: “Ai nuk duhej të mbante një armë.”
Deklaratat e Trump vijnë pasi Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tha menjëherë pas incidentit se Pretti “nuk ishte aty për të protestuar në mënyrë paqësore”, por për të “ushtruar dhunë”, duke e akuzuar atë për “terrorizëm të brendshëm”.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka deklaruar se agjentët qëlluan në vetëmbrojtje, pasi Pretti dyshohet se rezistoi përpjekjeve për t’u çarmatosur.


