18 Shkurt 2019 / 16:12
Vetëm në dy ditë në dy akse rrugore në vend ka pasur rrëshqitje masivesh me gurë. Një në rrugën Koçan- Dellçevë dhe një në rrugën Kërçovë – Shkup. Në të dyja rastet pa viktima, por jetë njerëzish u rrezikuan. Sipas Drejtorit të Ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, Gajur Kadriu ka akse rrugore ku nuk ka aspak të vendosur rrjeta metalike të cilat përdoren për parandalimin e rrëshqitjes së gurëve, përkrah atyre të cilat ka kohë që janë vendosur dhe që mirëmbahen herë pas here.
Mund të jenë problematike vende ku bien gurët, si për shembull rruga që shkon për në Dibër. Nuk është problem i mburojave ekzistuese, është edhe ku duhet tjetër të vendosen. Në vendet e tjera. Dhe atë përgjigje ne nuk mund ta japim. Atë përgjigje mund ta japë Agjencia e rrugëve, apo Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore. Është hapur tenderi është zgjedhur edhe operatori, duhet brenda vitit deri në shtator, ato pika të zeza 5,6 ose 9 vende problematike ose pika të zeza që i themi duhet të evitohen”- tha Gajur Kadriu, drejtor i Ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”.
Alsat kontaktoi edhe me Ndërmarrjen e rrugëve shtetërore, për t’u informua se në cilat akse rrugore nuk ka aspak të vendosur rrjetë mbrojtëse, apo sa raste të rrëshqitjeve të gurëve janë regjistruar. Nga kjo ndërmarrje thanë se sot nuk na përgjigjen dot. Vetëm një ditë më parë në rrugën Koçan- Dellçevë një automjet në të cilin kishte edhe fëmijë u rrezikua nga rrëshqitjet e dheut. Sipas ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë” masivi gurorë në rrugën Koçan- Dellçevë është pastruar nga ekipet e tyre. Ndërsa Treni i linjës Kërçovë – Shkup në mëngjes është përplasur me një shkëmb i cili kishte rënë mbi binarë gjatë natës, në afërsi të fshatrave Lakavicë dhe Padalishtë, të Gostivarit. Nga Sektori I Punëve të Brendshme -Tetovë thonë se gjatë vitit 2018 rajonin e Gostivarit dhe më gjerë janë regjistruar disa aksidente rrugorë të shkaktuara nga masivët gurorë.
Hetimet janë kryer dhe do të ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet për vendosjen qarkullimit normal të trafikut hekurudhor në të dy drejtimet. Përndryshe, në pjesën e binarëve hekurudhor, ku ka ndodhur aksidenti nuk ka pasur rrjet mbrojtës, por është e siguruar me mur mbrojtës, i lartë diku deri 10 metra. Gjatë vitit të kaluar, në rajonin më të gjerë të Gostivarit, janë regjistruar tre aksidente trafiku, të shkaktuara nga shkëmbinj të rrënuar, por më së shpeshti nga dheu, balta, apo ortekë bore”- thonë nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë.
Rast i rrëshqitjes së gurëve është përsëritur disa herë edhe në rrugën që shpie në Banjat e Tetovës. Rruga u rregullua se fundmi, më shtylla për ndriçim dhe me trotuare, por pa u vendosur mbrojtëse nga ana e lumit Shkumbin, apo nga ana kundërt ku shpesh ka pasur rrëshqitje masivesh gurorë. Madje disa prej tyre janë të përmasave më të mëdha dhe në disa pjesë kanë dëmtuar edhe trotuarin e rregulluar.
Evi Shkopi
Loading…


