Pas qytetit Samobor, edhe qyteti Krizhevci në Kroaci planifikon të nisë “shërbimin për gjyshërit”, që nënkupton pagesën e gjyshërve për kujdesin ndaj nipërve dhe mbesave të tyre.
Një nga premtimet parazgjedhore të kryetarit të Krizhevcit, Tomislav Katanoviq, ishte pikërisht kjo masë, ndërsa shuma e paralajmëruar është 250 euro për çdo fëmijë. Qyteti thekson se kujdesi për fëmijët brenda rrethit familjar është një ndër prioritetet më të larta dhe se masa do të nisë gjatë mandatit katërvjeçar, raporton N1.
Ndjekin shembullin e Suedisë
Pagesa e gjyshërve për kujdesin ndaj nipërve fillimisht është zbatuar në qytetin Samobor para disa muajsh, dhe Krizhevci do t’i bashkohet kësaj nisme. Në Samobor, gjyshërit marrin 360 euro për kujdesin ndaj nipërve, dhe ndihma mund të aplikohet për më shumë se një fëmijë. Që të përfitojnë këtë të drejtë, gjyshërit duhet të jenë pensionistë, ndërsa fëmija nga një deri në katër vjeç nuk duhet të jetë i regjistruar në kopsht. Kjo masë në Samobor është marrë sipas modelit suedez.
Zyra e kryetarit të Krizhevcit konfirmoi për prigorski.hr se planifikojnë ta nisin këtë masë gjatë mandatit aktual katërvjeçar, njofton Mirovina.hr.
“Masa është planifikuar si një zgjedhje shtesë për prindërit, dhe jo si zëvendësim i kapaciteteve të çerdheve. Qëllimi përfundimtar është që çdo fëmijë të ketë mundësi të regjistrohet në kopsht”, thuhet në njoftimin e qytetit.