Dy persona janë privuar nga liria gjatë ditës së djeshme në rajonin e Gostivarit për raste të ndara të kërcënimeve dhe sulmit fizik, ndërsa në Tetovë është realizuar aksion kontrolli në trafik me dhjetëra sanksione.
Sipas informacioneve që i raporton Tetovasot, më 21.01.2026 rreth orës 11:40, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria G.P. (65) nga Gostivari, duke vepruar sipas denoncimit paraprak të bashkëshortes së tij 60-vjeçare. Ajo ka raportuar se rreth orës 10:30, në shtëpinë familjare, ai kishte drejtuar kërcënime ndaj saj dhe djalit të saj. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
Në një rast tjetër, siç mëson Tetovasot, më 21.01.2026 rreth orës 21:30, policia nga DPB Gostivar ka arrestuar I.I. (54) nga Shkupi, pas denoncimit se rreth orës 18:00, në rrugën “Boge Veljanoski” në Gostivar, kishte sulmuar fizikisht 67-vjeçaren Z.H. nga Gostivari, duke përdorur një send druri. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të paraqitet parashtresë përkatëse.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, në zonën e SPB Tetovë është realizuar një aksion kontrolli i automjeteve dhe shoferëve. Sipas të dhënave që i ka siguruar Tetovasot, janë sanksionuar gjithsej 12 shoferë për parkim të parregullt, ndërsa katër automjete janë marrë me automjetin special “merimanga”. Gjithashtu janë evidentuar dhe sanksionuar edhe 35 kundërvajtje të tjera në trafik.
Policia paralajmëron se kontrollet në trafik do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion.


