Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj dy personave, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se si bashkëkryerës kanë rrëmbyer dy persona, mes tyre edhe një fëmijë.
“Më 5 maj në mëngjes, të dyshuarit, me qëllim, rrëmbyen një person duke e tërhequr me forcë për duar dhe supe, e futën në veturën e tyre BMW X5, dhe brenda në veturë e sulmuan fizikisht duke e goditur me grushte në kokë dhe fytyrë, duke i kërkuar të tregonte kush i kishte marrë para vajzës së njërit prej të dyshuarve.
I trembur nga dhuna, viktima u tregoi emrat dhe adresat e dy personave të tjerë. Kur të dyshuarit u nisën për t’i kërkuar ata, viktima arriti të arratisej nga vetura dhe ta raportonte rastin në polici.
Po të njëjtën ditë pasdite, pranë Gjykatës Themelore në Tetovë, të dyshuarit rrëmbyen edhe një nga të treguarit – një fëmijë 16-vjeçar. Edhe atë e futën me forcë në veturë, e goditën me grushte dhe e pyetën pse e kishte rrahur vajzën e njërit prej tyre.
I morën telefonin, e detyruan ta hapte dhe i lexuan mesazhet, pastaj e nxorën nga vetura në parking dhe vazhduan ta rrihnin me grushte dhe me shufër hekuri. Në një moment, i mituri arriti të arratisej dhe ta raportonte rastin.
Ekziston dyshim i bazuar se me këto veprime të dyshuarit kanë kryer dy vepra penale – Rrëmbim, sipas nenit 141 të Kodit Penal, ku njëri rast është në formë më të rëndë për shkak se viktima është i mitur. Duke vlerësuar se ekzistojnë bazat ligjore, prokurori publik i ka propozuar gjykatësit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Tetovë që të caktojë masën e paraburgimit për të dyshuarit”, thuhet nga Prokuroria.