Instituti i Shëndetit Publik informoi se sot për herë të parë në vendin tonë janë konfirmuar laboratorikisht dy raste me linë e majmunit(Monkeypox).
Nga ISHP njoftojnë se nga Klinika e Dermatologjisë janë referuar dy pacientë të dyshuar për majmuni, dhe njëkohësisht është rekomanduar që të bëhen analiza edhe për HIV, sifilis dhe herpes.
“Instituti i Shëndetit Publik kreu ekzaminime laboratorike në tre mënyra të ndryshme dhe në këtë mënyrë u konfirmuan laboratorikisht dy raste me linë e majmunit. Meqë për herë të parë në vendin tonë janë konfirmuar laboratorikisht raste me linë enmajmunit, pas rezultateve të marra u reagua menjëherë, u ndërmorën masa përkatëse dhe u njoftuan institucionet kompetente – Ministria e Shëndetësisë, Klinika e Dermatologjisë, Klinika Infektive dhe të tjera”, thuhet në njoftim.
Sipas protokolleve, pas marrjes së njoftimit, mjeku që i pranoi pacientët i informoi ata për rezultatet. Më pas pason një anketë epidemiologjike e kryer nga epidemiologët e ISHP-së.
“Personeli profesional i ISHP-së është kthyer në punë dhe ka filluar anketimin epidemiologjik të dy pacientëve, për të marrë të dhëna që janë shumë të rëndësishme për veprimet e mëtejshme. Anketa është ende në zhvillim. Do t’u rekomandohet pacientëve pozitivë të paraqiten në Klinikën Infektive”, njoftojnë nga ISHP.
Instituti i Shëndetit Publik do të vazhdojë ta ndjekë situatën dhe njofton se për momentin nuk ka vend për panik, pasi po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në mënyrë të shpejtë dhe institucionale.
“Sonte janë mobilizuar të gjitha kapacitetet institucionale për tejkalimin e pasojave të kësaj paraqitjeje dhe po ndërmerren të gjitha masat parandaluese. Gjatë ditës së nesërme do të ketë më shumë informacione për publikun”, theksojnë nga ISHP.