“Nesër NATO do të marrë një vendim historik për të pranuar tre shtete të Ballkanit – Kroacinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë. Shtetet e Bashkuara fuqishëm mbështesin anëtarësimin e këtyre shteteve në NATO. Këta shtete kanë ecur një rrugë të vështirë gjatë realizimit të reformave dhe në ndërtimin e shoqërisë së lirë. Ata janë të gatshëm të kontribuojnë në NATO dhe qytetarët e tyre e meritojnë sigurinë që ua ofron NATO-ja. Ndërkaq, ne ju dëshirojmë mirëseardhje anëtareve të reja të NATO-s, ne ju themi se dyert e NATO-s janë të hapura edhe për shtetet tjera që e duan atë, në Ballkan apo më gjerë”, Xhorxh Bush ish President i SHBA-së.
Më 2 prill të 2008-s, presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjorgj Bush (George Bush) e kishte paralajmëruar anëtarësimin e shtetit tonë në NATO. Por, ditë më pas, erdhi tushi i ftohtë nga Samiti i Bukureshtit.
Greqia i kishte vënë veto anëtarësimit dhe kështu shteti ynë nuk arriti të anëtarësohet në NATO bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë. Vendimi ishte marrë gjatë darkës së organizuar nga kreu francez, Nikollas Sakrozi, kujtoi ministri i mbrojtjes në atë kohë, Lazar Elenovski.
Lazar Elenovski: Para samitit të NATO-s ishte e qartë se të gjithë vendet i kishim plotësuar kushtet për anëtarësim, problem ishte emri me Greqinë. Në Samitin e Bukureshtit ne kishim hyrë me shpresën dhe entuziazmin se mund të kalojmë. Por, më duket se një ditë para samitit, NATO kishte mbledhje, jozyrtare në darkë dhe organizator ishte presidenti francez, Sarkozi dhe siç më patën thënë, në darkë është thënë se anëtarët duan të solidarizohen me Greqinë.
TV 21: Kanë kaluar thuajse 12 vjet nga ai moment? Kemi humbur vetëm vite apo edhe diçka tjetër derisa kemi pritur para dyerve të NATO-s?
Lazar Elenovski: Kemi humbur shumë, kemi humbur në vlerën demokratike, kemi humbur në vlerën ekonomike, si një shtet anëtar i aleancës më të madhe njerëzore… kemi humbur shumë, por është fundi i mirë se erdh momenti.
Sa i takon humbjeve, ngjashëm mendon edhe ambasadori i parë në NATO, Nano Ruzhin. Si pengesë të kësaj aspirate, Ruzhin krahas Greqinë e sheh edhe elitën politike të udhëhequr nga Nikolla Gruevski.
“E dimë se për shkak të kokëfortësisë dhe do të thosha papjekuria jo e mjaftueshme e elitës politike në vend, që nga pavarësia dhe deri në vitet 2014 – 2016 vazhdimisht kemi pritur para dyerve të Aleancës. Kështu që janë humbur shumë vite në integrime evropiane dhe atlantike”, tha Nano Ruzhin, ish Ambasador në Nato
Megjithëse një moment i shumë pritur, atë e zhbllokoi Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Anëtarësimi në NATO po kalon pa ndonjë ceremoni për shkak të pandemisë së virusit korona.



