Dy agjencitë kyçe të sigurisë së Maqedonisë së Veriut, Agjencia për Zbulim dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, për momentin janë pa drejtues shqiptar.
Kur u bënë emërimet në Agjencinë e Zbulimit, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova zgjodhi dy maqedonase etnike për t’i vendosur në pozitën e drejtoreshës dhe zëvendësdrejtoreshës, duke e lënë këtë institucion pa asnjë shqiptar në pozitë drejtuese, siç kishte qenë praktikë më parë. Politika nuk pati fuqi ta ndryshojë këtë, duke qenë se këtu emërimet ishin në dorë të presidentes.
Koalicioni shqiptar në Qeveri, VLEN, kur u pyet për këtë, qetësoi duke thënë se “kanë zëvendësdrejtor në Agjencinë për Siguri Kombëtare, institucion që sipas programit të Qeverisë pritet të fuzionohet me Agjencinë e Inteligjencës” dhe se “pas kësaj reforme, propozimi i koalicionit VLEN për zëvendësdrejtor në Agjencinë për Siguri Kombëtare do të jetë zëvendës edhe në shërbimin e integruar të inteligjencës”.
Kanë kaluar mbi gjysmë viti dhe bashkimi i dy agjencive nuk është ende askund. Ndërkohë as në ASK VLEN-i ende nuk e ka emëruar dikë si zëvendësdrejtorit, postin që i takoi me ndarjen e resorëve. Ky vend është vakant që prej nëntorit 2024, kur i mbaroi mandati Besnik Feratit, kuadër i BDI-së.
Për këtë kërkuam qëndrim nga VLEN, por përgjigje nuk morëm se pse ende askush nuk është emëruar zëvendësdrejtor në ASK, apo nëse kjo pozitë do të lihet e zbrazët deri sa të bëhet fuzionomi i AZ-së dhe ASK-së.
E sa i përket bashkimit të këtyre dy agjencive kryesore të sigurisë së shtetit, në fillim të korrikut 2024 kryeministri Mickoski pat deklaruar se pret që procesi të zgjasë disa muaj. Por kur u pyet sërish për këtë në fund të dhjetorit 2024, sërish tha se procedura kërkon kohë, se nuk do të jetë e shpejtë, as publike, andaj kërkoi durim.
“Të jemi të durueshëm, sepse bëhet fjalë për sistemin e shtetit për zbulim dhe kundërzbulim”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër (27.12.2024).
Si përfundim, derisa ligji për bashkimin e Agjencive është në proces e sipër, tërësisht sekret, asnjë shqiptar nuk është në krye të këtyre dy institucioneve.Tv21